Një shqiptar është ekzekutuar në rrethana ende të paqarta paraditen e së enjtes përpara një biznesi agroturizmi në Isola Rizza të Veronës. Sipas autoriteteve italiane, bëhet fjalë për 43-vjeçarin Ervin Karafili, i cili u qëllua me një plumb pistolete në gjoks që rezultoi fatale për të.

Të njëjtat burime thonë se shqiptari kishte precedentë në të kaluarën, pasi ishte përfshirë në shpërndarje të drogës në zonën ku jetonte. Në polici kanë qenë për të dëshmuar të afërm dhe komshinj. Ata thanë se kanë marrë një makinë të largohet me shpejtësi pas zhurmës së armës.

Mediat italiane nënvizojnë se kohët e fundit ka pasur një rritje të kriminalitetit shqiptar në këtë zonë. Ata thonë se edhe kjo vrasje lidhet me luftën mes bandave mafioze për kontrollin e territorit në trafikun e drogës. Pista tjetër ku po heton policia është ajo e prishjes së pazareve. Për këtë shkak është duke u analizuar telefoni i viktimës dhe kontaktet që kishte aty.