Dhimbje dyfish për një familje. Një 51-vjeçar ka humbur jetën paraditen e sotme, teksa merrte pjesë në ceremoninë mortore të motrës së tij. Ngjarja ndodhi në Njësinë Administrative Hotolisht në Bashkinë e Librazhdit.

Burimet bënë me dije se burri i pajetë është identifikuar si Avni Duka banues në Durrës. Të njëjtat burime konfirmuan se fshati ku u ai humbi jetën është vendlindja e të ndjerit, shkruan “Syri.net”. Mësohet se Duka kishte mbërritur në fshatin Dardhë ku po zhvillohej ceremonia mortore e të motrës që ishte ndarë nga jeta të enjten.

51-vjeçari e ka përjetuar jashtëzakonisht keq vdekjen e të motrës dhe kjo mendohet se e ka rënduar gjendjen e tij shëndetësore dhe papritur ka rënë përtokë, ndërsa ka ndërruar jetë.

Trupi i pajetë i Avni Dukës është transportuar në spitalin e Librazhdit për t’iu bërë autopsia, e cila do të përcaktojë dhe shkakun e vdekjes. Aktualisht ka dyshime se ai ka humbur jetën si pasojë e një atakut kardiak.