Finalizohet operacioni policor i koduar “Porosia ”, sekuestrohen 1 kg e 75 gr. heroinë në Tiranë. Vihet në pranga 31-vjeçari që posedonte dhe shpërndante lëndën narkotike.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, uniformat blu finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Porosia”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Z., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Janë siguruar informacione në rrugë operative se në një banesë në rrugën “Asdreni”, kishte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit heroinë dhe peronat që e dispononin ua shisnin shpërndarësve sipas porosive që bënin.

Mbi bazën e këtyre informacioneve, nga ana e punonjësve të Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, në rrugën “Asdreni”, është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit E. Z., ku Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 kg e 75 gr. lëndë narkotike të dyshuar heroinë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, 1 aparat celular dhe një automjet.

Vazhdon puna intensive për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.