Një atentat me armë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Kamëz, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë ndaj një çifti.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën ‘OSBE’.

Burri dhe gruaja mbetën të plagosur rëndë dhe janë dërguar me urgjencë.

Por burime nga policia thanë se burri ka gjetur vdekjen rrugës për në spital.

Gruaja ndodhet në gjendje të rëndë.

Njoftimi i policisë:

Më datë 25.04.2017, rreth orës 21:07, ka ardhur njoftimi se në rrugën “OSBE”, ka plagosje me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca ku nga verifikimet paraprake ka rezultuar: Në rrugën “OSBE”, janë plagosur me armë zjarri në një dyqan shtetasit A. B., dhe M. B., (burrë dhe grua) nga persona ende të paidentifikuar.

Shtetasit e plagosur janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital, ku shtetasi A. B., ndërroi jetë, ndërsa bashkëshortja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Janë ngritur pika kontrolli në çdo rrugë dhe hyrje – dalje të Kamzës e në pika të tjera. Vazhdon krehja e zonës dhe kontrolli i territorit. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit / ve.