Policia greke vijon të kërkojë shqiptarin me emrin Niko, i cili dyshohet si autori i krimit të dyfishtë në Flambouro, lokacioni Loutraki, ngjarje e ndodhur më 1 tetor.

Sipas policisë greke, shqiptari ka ekzekutuar ish-partneren e tij, 45-vjeçaren Svetlana dhe partnerin e saj të ri, një farmacist grek. Mediat greke raportuan se krimi ka ndodhur në banesën e 45-vjeçares, ndërsa vrasja është kryer me hanxhar.

Policia e ka gjetur derën e banesës të mbyllur, çka do të thotë se autori i krimit ka pasur çelës për të hyrë brenda.

Sipas mediave lokale, oficerët e policisë të AT Loutraki hynë në shtëpinë e 45-vjeçares nga Odesa, Ukrainë, rreth orës 16:15, të datës 1 tetor.

Pasi ata hapën derën brenda panë dy viktima, një grua 45-vjeçare dhe një burrë të shtrirë në dysheme dhe të larë në gjak.

Trupat e tyre kishin goditje të shumëfishta nga një hanxhar, ndërsa ishin tërësisht të zhveshur.

Sipas informacioneve, 45-vjeçarja kishte një lidhje dhe po jetonte me burrin me të cilin u gjet e vdekur në shtëpinë e saj.

Fqinjët folën për protothema.gr dhe raportuan se ata ishin një “çift i qetë”, i cili kurrë nuk kishte shkaktuar probleme.

Por vite më parë ajo ishte e lidhur me një shqiptar me emrin Niko me të shkuar kriminale, i cili i verbuar nga pasioni dhe dashuria e pakontrollueshme nuk pranoi kurrë lidhjen e viktimës me farmacistin dhe kreu krimin natën e së shtunës, 1 tetor.

Shqiptari tani është zhdukur dhe policia po e kerkon në të gjithë Greqinë. Mendohet se 45 vjeçari është larguar për në Shqipëri.