Të tjera detaje mësohen për ngjarjen e rëndë të ndodhur pak më parë në Tiranë ku një person humbi jetën si pasojë e një atentati mafioz.

66-vjeçari Behar Sofia, biznesmen me origjinë nga Lapardhaja Beratit banues në “Rrugën e Qelqit” Kombinat, dyshohet se ka qenë person me precedent të mëparshëm penal.

Sipas Report TV, ai njihej si “Padrino i drogës”, i lidhur me “bosin” e heroinës Abdulselam Turgut. Emri i biznesmenit del në ngjarjen e gushtit 2009 ku në Durrës u vranë 4 policë gjatë operacionit për të arrestuar Dritan Dajtin. 

Sofia zotëronte disa biznese pranë stadiumit “Dinamo” në Tiranë, të cilave iu është vendosur edhe lëndë eksplozive. 

Mëngjesin e sotëm, viktima u gjet i shtrirë në trotuar fillimisht në gjendje të plagosur. Ai mori dy plumba në këmbë dhe megjithëse u transportuar në spital, nuk ka mundur të mbijetojë.

“Me datë 25.02.2021, rreth orës 09:00, në trotuar në afërsi të Piramadës është konstatuar nga sherbimet e Policisë shtetasi B. S., 66 vjeç, i shtrirë në tokë, dyshohet i plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, i cili është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjeksore ku dhe ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, të cilat kanë rrethuar zonën, me qëllim kapjen e autorit. Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore dhe vijon puna nga grupi hetimor, për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, deklaron policia.