Elton alias Kastriot Kila, 37-vjeç, është vënë në pranga nga policia e Elbasanit, në bazë të një urdhër-arresti lëshuar nga autoritetet italiane.

Policia e Elbasanit ka arrestuar të enjten në mëngjes 37-vjeçarin e shpallur në kërkim nga Prokuroria e Peskares në Itali. Policia sqaron se ai u ndalua, në sajë të kontrolleve për personat e shpallur në kërkim.

“Në vijim të zbatimit të planit të masave për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e autorëve të ndryshëm të veprave penale, Policia e Elbasanit ka bërë të mundur kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Konkretisht u ndalua Elton (Kastriot) Kila, 37 vjeç, banues në lagjen ‘Qemal Stafa’ Elbasan”,-bënë me dije burime zyrtare nga Policia e Elbasanit.

Në Itali, sipas të njëjtave burime, 37-vjeçari akuzohet se ka qenë pjesë e një organizate kriminale, me aktivitet në fushën e narkotikëve.

“Ndalimi i tij u bë me qëllim ekstradimi për në Itali, pasi Prokuroria e Pescara-s/Itali, ka lëshuar urdhrin e ndalimit ndërkombëtar Nr.SPIE522/2011, datë 11.09.2018, për kryerjen e  veprave penale ‘Organizata kriminale’, ‘Trafikim i narkotikëve’, ‘Mashtrim’ dhe Kallëzim i rremë’, parashikuar nga nenet 110,416,367, e 642 të Kodit Penal Italian, si dhe neni 73 i Ligjit kundër Drogave. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet të mëtejshme”.

Në postimet që 37-vjeçari bën në rrjetet sociale, shfaq jetën e luksit. Makina të shtrenjta të markave “Ferrari”, “Lamborghini”, pushime ekzotike dhe jo vetëm…