Dy shqiptarë përfunduan në prangat e autoriteteve britanike në Stoke, pasi policia bastisi shtëpinë e tyre dhe gjeti një dhomë të mbushur me bimë kanabisi.

Autoritetet kishin marrë informacion se në shtëpinë ku jetonin shqiptarët, në Humber Avenue, kultivohej kanabis, për këtë arsye oficerët bënë kontroll mëngjesin e së premtes.

Ata gjetën 72 bimë kanabisi në një dhomë gjumi, si dhe dy dhoma të tjera të cilat ishin përshtatur me qëllim që të rrisnin edhe më shumë bimë. Oficerët gjetën gjithashtu 4 kilogramë kanabis të tharë të paketuar nëpër qese plastike me vakum.

Të arrestuarit, sipas mediave britanike, janë dy shqiptarë të moshës 38 dhe 17 vjeç. Identiteti i tyre nuk bëhet i ditur, megjithatë ata mësohet se kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

38-vjeçari u la burg nga autoritetet për kultivim kanabisi, ndërsa adoleshenti u dërgua në kujdesin social, ndërkohë që hetimet vijojnë.