Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin “Klienti”, i cili ka çuar në prangosjen e dy personave, posedues dhe shpërndarës të lëndës narkotike.

Mësohet se njëri nga të arrestuarit është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Gjatë operacionit, forcat blu kanë sekuestruar rreth 800 gramë kokainë, 1 automjet dhe 1 aparat celular.

NJOFTIMI I POLICISË

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës së pandërprerë për kapjen e personave që qarkullojnë me lëndë narkotike apo merren me shpërndarjen e tyre dhe të personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore që janë shpallur në kërkim, pas një pune hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Klienti”. Si rezultat u bë arrestimin në flagrancë i shtetasve:

•Besmir Sula (Zeneli), 35 vjeç, i shpallur në kërkim për llogari të DVP Dibër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

•Aleksandër Algeri, 33 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi B. S.(Z)., me anë të lidhjeve të tij shoqërore siguronte sasi të mëdha lënde narkotike të llojit kokaine, të cilën ia jepte më pas shtetasit A. A., që ta shiste në doza të vogla, te klientë të ndryshëm në qytetin e Tiranës, me sasi nga 100 gramë deri në 1 kg, kundrejt vlerës 45 euro për gram.

Në vendin e quajtur “21 Dhjetori”, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtyre shtetasve, u gjet një sasi me rreth 800 gramë lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku 1 aparat celular dhe një automjet që autorët e përdornin për shpërndarjen e lëndës narkotike.

Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.