Saga e gjatë, e 20 viteve të shkuara për 135 shijakas është rikthyer në 2017 krejt papritur, atëherë kur nuk e kishin menduar. Historia të ndjek pas, dhe kështu po ndodh me shijakasit e operacionit "Kanun" që u zhvillua brenda një nate në Bergamo të Italisë, në një zonë ku edhe pas dy dekadash fryma “antiemigrantë” është po njësoj e fortë.

Gjykata e Durrësit prej ditësh është vënë nën masa të larta sigurie. Çdo ditë masa arrestesh ndërsa shumë familjarë të ish-emigrantëve të dikurshëm kanë "pushtuar" ambientet e gjykatës. Nga nëntë të arrestuar deri tani në gjendje të lirë po hetohet vetëm një grua.  

Resmie Plaku 57-vjeçe, ka detyrim paraqitje për akuzën e shfrytëzimit të prostiucionit. Policia e ka cilësuar "Vjeshta" operacionin e arrestimeve të shijakasve të shpallur në kërkim nga Interpoli.

Të gjthë kishin  menduar se ja kishin hedhur drejtësisë për veprat e kryera dhe kishin ndërtuar një jetë tjetër në Shqipëri me paratë e siguruara nga aktivitetet jashtë vendit, por janë arrestuar atëherë kur  nuk e prisnin.

Operacioni "Vjeshta" po mbledh të gjitha "frutat e krimit në Shijak" të dënuar nga drejtësia italiane në prezencë dhe në mungesë. Sipas burimeve nga policia e Durrësit, bëhet fjalë për një numër të lartë personash të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, dhe nëntë të arrestuarit për llogari të Italisë nuk janë as 10% e listës së të kërkuarve.

Të gjithë të arrestuarit dhe ata që janë shpallur në kërkim janë të moshës 40 deri në 60-vjeç, çka do të thotë se 15 apo 20 vite më parë ishin në moshë shumë të re dhe të përfshirë në grupe kriminale. Policia po vijon kërkimet për arrestimin e të tjerë personave të shpallur në kërkim, por shumica e tyre e kanë "nuhatur" dhe janë fshehur në vende ende të paidentifikuara.

Të gjithë personat e arrestiar me qëllim ekstradimi kanë pajtuar avokat mbrojtës Ilia Ilian, avokat i cili e njeh në themel çështjen e operacionit policor italian "Kanuni".

Avokati mbrojtës Ilia Ilia, i ka kujtuar  gjykatës operacionin e policisë italiane të quajtur "Kanun" në zonën e Bergamos në Itali, ku brenda një nate u arrestuan 135 banorë të Shijakut, që sipas tij u montua një gjyq manipulator dhe diskriminues ndaj shqiptarëve aso kohe. Avokati i kërkoi gjykatëses të lërë të lirë klienët që sipas tij nuk paraqesin asnjë rrezikshmëri.

Gjykatësja Eda Kaja vendsoi ta konsiderojë të ligjshëm vendimin e gjykatës italiane për të akuzuarit.

Ilia Ilia tha se 135 shqiptarë nga Shijaku janë arrestuar brenda një nate si përfaqësues të një bande kriminale, pas denoncimit të dy vajzave nga Katundi I Ri, Suzana Vuthi dhe Ermira Kadiu. 5 prej antarëve të Kanunit u gjykuan në Shqipëri, njëri mori pafajësinë Arjan Kapo ndërsa të tjerët morën dënime shumë të lehta, Arben Plaku, Rudin Çalliku, etj. .  

Avokati hodhi akuza të rënda në drejtim të sistemit gjyqësor Italian, që sipas tij ka diskriminuar shqiptarët me vendimet e dhëna. 

Nëntë të arrestuarit

  1. Alket Hatija: 45 vjeç (në kërkim)
  2. Durim Keçi: 41 vjeç
  3. Gëzim Aleksi: 41 vjeç
  4. Dashamir Hersi: 48 vjeç
  5. Arben Plaku: 51 vjeç
  6. Resmie Plaku: 57 vjeçe
  7. Riza Sheshi: 50 vjeç
  8. Indrit Driza: 46 vjeç
  9. Eduart Bukmishi: 55 vjeç