Policia e Kolonjës finalizon operacionin anti-kanabis “Radovicka”, duke arrestuar një person.

Në pranga ka rënë një 36-vjeçar, Dëfrim Beqirllari, të cilit i është sekuestruar arsenal me armë zjarri, konkretisht 3 automatik, 1 pushkë dhe municion luftarak.

Po ashtu, ky person është akuzuar për për kultivim të bimëve narkotike.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacione të siguruara në rrugë policore, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë,  finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Radovicka”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: – D. B., 36 vjeç, banues në fshatin Radovickë, Kolonjë”, njofton policia.

Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e një banese në përdorim të këtij shtetasi, Policia gjeti të kultivuar disa fidanë të dyshuar narkotikë kanabis.

Po gjatë operacionit është ushtruar kontroll në banesën e 36-vjeçarit, ku shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një arsenal armësh zjarri, konkretisht 3 automatik, 1 pushkë, fishekë luftarakë dhe 3 krehra.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”.