Ndërhyrja në kohë e Policisë ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti mes tre vëllezërve, për motive pronësie në Mat.

Forcat blu kanë arrestuar 3 vëllezërit të cilë akuzohen për dhunë në familje. Njëri nga vëllezërit ka dhunuar me një send të fortë gjyshen 80-vjeçare.

NJOFTIMI I POLICISË

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pasi kanë marrë informacion se në fshatin Midhë, Njësia Administrative Komsi, po ndodhte një konflikt në familje, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë ndërhyrjes së shpejtë kanë parandaluar konfliktin e mëtejshëm që mund të kishte pasoja të rënda.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

G. S., 34 vjeç, banues në Burrel, pasi ka goditur me një send të fortë gjyshen e tij 80-vjeçare, e cila pasi  ka marrë ndihmë mjekësore në spital, është larguar drejt banesës.

I. S., 45 vjeç dhe F. S., 42 vjeç, banues në fshatin Midhë, pasi për motive pronësie kanë goditur me sende të forta vëllanë e tyre B. S., 58 vjeç, i cili pasi ka marrë ndihmë mjekësore është larguar drejt banesës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Mat, për veprën penale “Dhuna në familje”.