Finalizohet operacioni antidrogë “Porcion”, për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta në qytetin e Vlorës.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se gjatë operacionit janë sekuestruar dhjetëra doza me lëndë narkotike kokainë ndërsa është arrestuar në flagrancë një 32- vjeçar.

NJOFTIMI I PLOTË

Në vijim të punës intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë goditën një tjetër rast të shprëndarjes së drogave të forta në doza të vogla.

Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas në lagjjen “Isa Boletini”, me automjetin e tij dyshohej se shpërndante lëndë narkoitke, specialistët kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Porcion”, në kuadër të të cilit, në rrugën kryesore të Bulevardit “Ismail Qemali”, Vlorë, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi M. B., 32 vjeç, banues në Vlorë.

Nga kontrolli i ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, Policia ka gjetur të fshehura 45 doza lëndë narkotike të dyshuara të llojit kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe një aparat celular.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.