Policia e Shtetit ka reaguar pas denoncimit të Partisë Demokratike se mbrëmjen e djeshme i është vendosur tritol banesës së nënkryetarit të Bashkisë Kamëz, Vendim Demaj

Sipas Policisë, tritoli nuk është vendosur në banesën e Vendim Demajt, por në një banesë të marrë me qira nga shtetasi P.Gj.

Reagimi i policisë:

Më datë 04.08.2019, rreth orës 23.30, tek kthesa Kamzës në katin e tretë të një pallati,  në pjesën e derës së banesës së marrë me qera nga shtetasi P.Gj,  ka shpërthyer  një sasi  e vogël lënde e dyshuar plasëse, ku në momentin e shpërthimit brenda në banesë nuk ka pasur njeri  dhe si pasoje ka vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethaneve të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Metarialet i kanë kaluar  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”