Një 28-vjeçar është plagosur me armë zjarri mëngjesin e kësaj të hëne. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30 në Rrugën e Dibrës në Tiranë.

Në lidhje me ngjarjen policia ka marrë një telefonatë në numrin e emergjencës, se ka pasur të shtëna me armë zjarri.

“Nga hetimet dhe verifikimet paraprake është plagosur me armë zjarri shtetasi V.K., 28 vjeç. Sipas të dhënave paraprake, 28-vjeçari është qëlluar nga një person i paidentifikuar i veshur me të bardha, rreth 1 e 60 i gjatë, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes”, sqaron policia.

Ndërkohë i plagosur është transportuar në spital ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale gëzhoja të qitura nga armë e llojit pistoletë.

Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të zonës ku ka ndodhur ngjarja dhe po vazhdon krehja e territorit.

Grupi hetimor po vazhdon punën për identifikimin e autorit/ ve dhe zbardhjen e shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.