Pesë ditë pasi u plagos me mjete të forta gjatë një sherri në lokal, ka ndërruar jetë 55-vjeçari Dervish Kalaja.

Ngjarja ndodhi më 7 dhjetor në një lokal në zonën e Ishmit në Durrës, pasi një konflikti mes viktimës dhe shokut me të cilin po pinte në tavolinë, ku më pas u përfshi edhe pronari i lokalit me kushërinjtë e tij.

55-vjeçari dhe shoku i tij kanë qenë duke pirë në lokal, por në debat e sipër kanë nisur të konfliktohen. Gjatë sherrit janë përdorur sende të forta, ku mbetën të plagosur shtetasit R. A., 34 vjeç, banues në Sukth, S. A., 62 vjeç dhe 55-vjeçari Dervish Kalaja, i cili humbi jetën mbrëmjen e të premtes.

Për ngjarjen u arrestuan 3 persona si dhe u gjobit pronari i lokalit me 1.000.000 lekë, pasi nuk ka respektuar orarin e vendosur për mbylljen e aktivitetit.

NJOFTIMI I POLICISË MË 7 DHJETOR

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasit:

A. K., 36 vjeç, Xh. K., 21 vjeç, banues në Ishëm dhe R.(G). A., 34 vjeç, banues në Sukth.

Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit Sh. I., dyshohet se kanë goditur me mjete të forta shtetasit D.(P). K., 55 vjeç dhe S. A., 62 vjeç.

Ndërsa shtetasi R.(G). A. ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin E. K., 33 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.  

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Sh. I., 31 vjeç, banues në Ishëm (pronari i lokalit ku ka ndodhur ngjarja), për veprën penale “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka njoftuar Policinë për konfliktin e ndodhur në ambientet e lokalit të tij. Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë i është vendosur masë administrative 1.000.000 lekë, pasi nuk ka respektuar orarin e vendosur për mbylljen e aktivitetit. 

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.