Policia Rrugore krahas ndëshkimeve për ato drejtues automjetesh të cilët nuk respektojnë rregullat e qarkullimit, sot ka prezantuar "Lotarinë e Radarit", ku do të përzgjidhen 20 drejtuesit më të mirë, në autostradën Tiranë-Durrës.

Komisari, Ervin Dervishi, Specialist në Drejtorinë e Policisë Rrugore tha se do të zgjidhen drejtuesit model, që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe për ta do të ketë nga një policë sigurimi.

"Do të dhurohen 20 siguracione automjeti për drejtuesit e mjeteve që respektojnë normat e shpejtësisë, ofruar nga gazsjellësi "TAP" dhe kompania e sigurimeve "Atlantik". Shorteu do të hidhet LIVE ditën e premte në ora 10:00 dhe mund ta ndiqni në faqen zyrtare në Facebook-un e Policisë së Shtetit. Këtë javë, për shoferët që respektojnë shpejtësinë, në javët e tjera për ata që nuk përdorin telefonin në drejtimin e mjetit, që vendosin rripin e sigurimit, respektojnë këmbësorët etj."