Një ditë pas ekzekutimit Nikola Ikonomit pranë derës së banesës  në fshatin Resulaj të Selenicës, detaje të reja kanë dalë në dritë. Mbi 47- vjeçarin që njihej edhe me emrin Laver Tozaj është qëlluar 5 herë. Dy prej plumbave e kanë kapur në kokë dhe 3 të tjerat në pjesën e kraharorit duke i shkaktuar edhe vdekjen.

Ka dyshime që atentati të jetë kryer nga një person i vetëm, për shkak se viktima është qëlluar shumë afër dhe më pas është larguar duke shfrytëzuar errësirën. Hetuesit kanë dyshime se autori e njihte mirë zonën pasi u largua pa u vënë re nga askush.

Një nga pistat e hetimit është ajo e hakmarrjes që lidhet me të shkuarën e tij kriminale si trafikant droge, por nuk përjashtohet edhe ndonjë konflikt që viktima mund të ketë patur kohët e fundit. Për këtë policia ka marrë në pyetje 15 persona, mes tyre dhe gruan dhe vëllezërit, por ata kanë mohuar të kenë pasur konflikte. Edhe banorët e zonës e njihnin viktimën dhe familjen e tij si njerëz të qetë dhe pa probleme.

 “Janë familje e mirë, mesa di unë nuk kanë konflikte me asnjë në fshat”.

Nikola Ikonomi u gjet nga bashkëfshatarët i shtrirë në rrugë në gjendje të rëndë shëndetësore. Më pas u transportua në spital, por ndërroi jetë. Viktima kishte ndërruar identitetin, nga Laver Tozaj në Nikola Ikonomi, ndërsa në vitin 2005 ishte dënuar me 6 vite gjysmë burg për trafik droge. /Tv Klan