Kryeministri Edi Rama, në një komunikim virtual me gazetarë dhe ndjekës ka treguar më shumë për bisedën telefonike të disa ditëve më parë me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak.

Kryeminstri britanik i ka shprehur keqardhje, për atë që ka ndodhur në raport me shqiptarët, tha Rama.

“Kemi diskutuar për këtë çështje dhe jo vetëm, nuk është folur për asgjë të re. Kam përsëritur të njëjtën gjë që i kam përsëritur të gjithë paraardhësve të tij, se si mund të bëhet një zgjidhje efikase, për të gjithë trafikantët që shfrytëzojnë dëshirën e njerëzve për t’u larguar”.

Kryeministri njofton se “do të kemi një shkëmbim vizitash”.

“Nuk ka pasur asnjë vizitë zyrtare nga ana e një kryeministri shqiptar në Downing Street. Me sa mbaj mend unë është hera e parë”, shprehet kreu i qeverisë.

Vitin e shkuar, parlamenti miratoi në kohë rekord marrëveshjen e nënshkruar në Tiranë nga ish-ministrja e Punëve të Brendshme Priti Patel me homologun Bledi Çuçi për dënimin e shpejtë të shqiptarëve të cilët mbarojnë vuajtjen e dënimit në burgjet angleze.

Dy muaj më parë po në një kohë të shkurtër parlamenti shqiptar ratifikoi memorandumin e bashkëpunimit me Britaninë e Madhe në shkëmbimin e të dhënave në ato shqiptare me qëllimin identifikimin e personave shqiptarë me precedentë penal që mbërrijnë në Angli.

Kryeministri Edi Rama e ka përsëritur thirrjen ndaj shqiptarëve për mos ta vënë jetën në rrezik e shkuar me gomone në Angli.

Megjithatë, pala angleze pretendon se deri më tani këtë vit kanë mbërritur 12.000 të cilët kaluan kanalin anglez me gomone që përbëjnë 30% të totalit të atyre që kanë mbërritur me gomone gjate janar-nëntor 2022.