Burimet diplomatike i kanë konfirmuar Radios Evropa e Lirë se sot në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq – nën ndërmjetësim të të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak – për të diskutuar zgjidhjen për çështjen e targave ilegale serbe.

Këto burime kanë thënë se palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, që është konsideruar urgjent.

Nevoja për përpjekje maksimale për arritjen e një marrëveshjeje për targat është theksuar edhe në një takim të zhvilluar të martën mes Kurtit dhe ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Kosovë, Olivier Guérot dhe Jörn Rohde, ka thënë Qeveria e Kosovës përmes një komunikate.

Takimi në Bruksel do të zhvillohet vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me çështjen e targave.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Ai ka thënë të martën se ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është shumë i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e targave ilegale serbe.

“Shtetet e Bashkuara i duan edhe 48 orë që përafrimi i djeshëm të mund të shndërrohet në dakordim sot ose nesër. Po i bëjmë përpjekjet maksimale. Unë nuk mendoj që jemi në orët kur duhet të flasim për shtyrje të reja, duhet të flasim për intensitet maksimal, në mënyrë që brenda 48 orëve ta kemi marrëveshjen siç e synuam në Bruksel, duke mos u kufizuar në çështjet siç është puna e targave”.

Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se e ka kërkuar këtë shtyrje për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje./REL