Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) ka ngritur alarmin se mijëra palestinezë që besohet se ndodhen ende të varrosur nën rrënojat në Rripin e Gazës mund të mos identifikohen kurrë, ndërsa operacionet e kërkimit dhe nxjerrjes vijojnë të përballen me vështirësi të mëdha.
Sipas një raporti të The Guardian, pavarësisht armëpushimit të brishtë të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara që hyri në fuqi në tetor, procesi i gjetjes së viktimave mbetet i ngadaltë. Kalimi i kohës po rrit rrezikun që mbetjet njerëzore të degradohen deri në atë pikë sa identifikimi i tyre të bëhet i pamundur.
“Nuk ka dyshim se këta trupa së shpejti mund të bëhen të vështirë për t’u identifikuar”, deklaroi zëdhënësi i Kryqit të Kuq në Kuds, Pat Griffiths.
Ai theksoi se sa më shumë të vonohet nxjerrja e mbetjeve njerëzore, aq më i ndërlikuar bëhet identifikimi i tyre, pasi trupat mund të arrijnë në faza të avancuara dekompozimi ose të mbeten vetëm skelete. Sipas tij, kjo vështirëson edhe punën e ekspertëve mjekoligjorë, të cilët humbasin prova të rëndësishme që mund të ndihmojnë në konfirmimin e identitetit të viktimave.
Palestinezët kanë nisur kërkimet në rreth 61 milionë tonë rrënoja të krijuara gjatë luftës. Zyrtarët shëndetësorë në Gaza vlerësojnë se të paktën 10 mijë persona ndodhen ende nën gërmadha, ndërsa disa ekspertë besojnë se numri real mund të arrijë deri në 14 mijë.
Sipas raportit, ekipet e shpëtimit po punojnë kryesisht me mjete bazike si lopata, kazma dhe mjete të tjera dore, ndërsa kërkesat për lejimin e ekskavatorëve dhe makinerive të rënda nuk janë miratuar.
Kryqi i Kuq paralajmëron se vonesat e mëtejshme mund të dëmtojnë seriozisht përpjekjet për identifikimin e viktimave, pasi kushtet mjedisore, zhvendosja e mbetjeve dhe humbja e sendeve personale mund të zhdukin prova të vlefshme mjekoligjore.





