Nga Mila Ballhysa

Kjo foto e Velierës, e postuar  në rrjete sociale nga ekonomisti Dorianin Agalliu tregon atë që kryeministri Rama e cilësoi vite më parë “kryevepër arkitektonike”.

Punimet për të nisën dimrin e vitit 2016 dhe ende nuk kanë përfunduar. Për të janë shpenzuar më shumë se 6 milionë euro.

I ripërmenda këto fakte, jo për të përsëritur veten, por për t’i kujtuar gjithkujt që e ka harruar, se për këtë investim u bënë degjesa publike, në sallën e Pallatit të Kulturës të mbushur plot.

2 miliardë euro investim në marinën turistike të Durrësit dhe asnjë degjesë publike, asnjë konsultim paraprak me grupet e interesit, asnjë projekt konkret por vetëm një video në 3D dhe një marrëveshje bashkëpunimi.

Kush na e jep garancinë që ky projekt gjigand me mungesë të plotë transparence do të shndërrohet në portin më të madh turistik në Mesdhe?

Dështuam të përfundojmë një Velierë në 6 vite.

Kush na e jep garancinë që marina e shfaqur në 3D do të realizohet ashtu siç duket në video?

Edhe Veliera duket shumë më ndryshe tani, nga ajo që shfaqej në fotot e projektit fillestar!

Cilat mund të jenë gabimet që investitori arab Mohamed Alabbar i përmendi vetë pas firmosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit?

Po ju kujtoj disa prej investimeve publike të viteve të fundit:

1. U desh mbi një vit që markata e Durrësit të përfundonte, megjithëse fillimisht u premtua për 3 muaj.

2. Eco Parku ende nuk është hapur, megjithëse deri tani janë deklaruar 3 afate të ndryshme vënieje në funksion për qytetarët.

3. Dy pallatet e rindërtuara në Durrës ende nuk janë dorëzuar, megjithëse po mbushen 3 vite nga tërmeti.

4. Janë me dhjetëra pallatet dhe banesat individuale të pa rindërtuara apo të pa riforcuara, megjithëse qe premtuar se procesi i rindërtimit do të përfundonte në shtator 2022.

5. Asnjë prej inceneratorëve nuk është funksional, megjithëse vazhdojnë të gllabërojnë paratë e shqiptarëve.

Asnjë investim publik nuk ka përfunduar brenda afateve të përcaktuara në kontratë.

Kush i jep garancinë popullit të Durrësit se investitori arab apo kushdo tjetër që fshihet pas tij do respektojë afatet, do zbatojë projektin dhe realisht do ta transformojë në portin turistik më të madh në Mesdhe?

Kush na jep garancinë që nuk do të humbim portin më të madh në vend, sepse porti i ri tregtar do dojë 10 vite të përfundojë dhe nuk dihet nga do dalin paratë për financimin e tij?

Në shumë reagime në rrjete sociale shoh shumë njerëz që komentojnë: Kush na pyet neve? Kush na dëgjon? Pse do reagojmë se nuk na llogarit njeri?

Një popull që nuk kupton fuqinë e tij!!!

Protesta më e bukur e viteve të fundit që kujtoj ishte ajo tek Rruga e Kombit. Një komunitet që përdori forcën e tij dhe reagoi fort ndaj dritëshkurtësisë së një qeverie që po i vinte traun me pagesë tek dera e shtëpisë.

Shkatërruan e dogjën, disa përfunduan pas hekurave, por fituan të drejtën e tyre.

Dhe ishin pikërisht ata që prej gati 30 vitesh ne i quajmë malokë, zaptues se na kanë zënë tokat në Durrës.

Po arabit & CO që vjen e ulet këmbëkryq në zemër të Durrësit, çfarë emri duhet t’i vëmë? Mos do ta quajmë investitor, ashtu siç quajmë biznesmenë të inkriminuarit në lajmet e kronikës së zezë?!

Çdo popull meriton qeverinë që ka. Edhe ne e meritojmë këtë klasë drejtuese të korruptuar, sepse na mungojnë këllqet për të reaguar.

Nuk jam kundër investimeve, por ky projekt pritet të ndryshojë fatet e qytetit për vitet në vazhdim. Për mirë a keq, këtë mbase as Alabbar se di me siguri. Nuk mund të luhet në ruletë ruse me një nga asetet më të rëndësishme të qytetit.

P.S. Dy fjalë dhe për opozitën e vyshkur; për atë që mban selinë e partisë megjithëse nuk ka anëtarë, por edhe për atë që ka anëtarë, por mbledhjet i bën në qendra tregtare apo kafeneve.

Jo më kot populli i Durrësit ju ka lënë 22 vite në opozitë dhe me shumë gjasa do vazhdojë akoma t’ju lërë…