Reçensë e një libri që pritej

Mira Lala në librin :“Demir Zajmi një rreze drite”

Kujtime dhe mbresa

-Malli për të jatin është malli dhe sentimenti për një brez të artë durrsakësh

-Detyrimi për brezin e kaluar, parësore për një brez pasardhës

– Dashuria për prindët, është dashuria për qytetin dhe banorët e tij

-Një hap krijues, që duhet përshëndetur dhe përkrahur

-Amaneti i tyre, udhërrëfyes për të besuar tek e ardhmja

Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Në këtë fund shtatorit të vitit 2020, një dukuri e papritur me befason dhe më ngjall kureshtje dhe kujtime. Nga Amerika e largët “udhëtoi Demir Zajmi” për të ardhur tek unë në Durrës. Një gëzim i papërshkruar. Kjo për disa arsyje. Demir Zajmi një durrsak i vjetër, është ulur bukur dhe ëmbël në kujtesën time. Ky burrë i qeshur, teksa ndesheshim rrugëve të Durrësit, me një komunikim përrallor, me një edukatë dhe kulturë befasuese, qendronte disa minuta me djalin e mikut të tij të ngushtë Xhafer Qesja dhe e pyeste për mësimet dhe sjelljet e përditshme. Me një cigare që fekste sa herë që e vinte në buzë, mua më dukej se burrëria sikur i shtohej edhe më shumë. Demir Zajmi jo vetëm nga këndvështrimi i së bijës, mjekes së njohur Mira Lala (jeton prej vitesh në Amerikë), por edhe të çdo durrsaku të hershëm, vjen e zbret hijshëm në kujtesë si një fisnik, si një meteor që as ka ndërmënd të shuhet.

Shumë kujtime, shumë mbresa, shumë mall, shumë dhimbje për këta burra të vërtetë, që mbajtën peshën jo vetëm të halleve dhe punëve të mëdha dhe të vështira, por edhe autoritetin e një qyteti aq të bukur, aq ëndërrues, aq ledhatues si puhiza e lehtë që vjen nga thellësia e Adriatikut, duke i bërë të tjerët ti shikojnë durrsakët si punëtorë me nam, zanatçij të pakonkurueshëm, të urtë dhe mikpritës. Dhe Mira Lala, absolutisht jo në pozicionin e një shkrimtareje profesioniste, por plotësisht në pozicionin e ligjshëm të dashurisë dhe mallit të pashuar për babain e saj, burrin zotni të Durrësit Demir Zajmi, vjen e rrëfen për publikun kujtime dhe mbresa të çmuara dhe kurdoherë të ndezura si një zjarr i pashuar.

Ajo nuk e merr e vetme autorësinë e librit “Demir Zajmi një rreze drite”, pasi kërkon të jenë së bashku edhe dy fëmijët e tjerë të Demir Zajmit Agroni dhe Sonila. Malli për Durrësin dhe aq më shumë për të jatin është shumë, shumë i madh nga Bloomington-i i Amerikës së largët, duke konturuar jetën e tij në formatin e një libri në limitin kohor të 66 viteve, duke nisur nga 5 shkurti i vitit 1926 dhe duke sosur me 24 dhjetor 1992.

-Ti kishe një zemër brilante, të butë, të ndjeshme, ku në dimensionet gjigande të saj, ishim brenda të gjithë ne, familja e jote, të afërmit e tu, shokët dhe miqte e tu, e gati i gjithë Durrësi dhe Ulqini, Ti ishe portret i gjallë i atij njeriu që arrin gjithçka me punë dhe djersë. Me ty ne kishim një jetë të qetë, të thjeshtë dhe me hapsirën e duhur, por shumë të afërt me njëri tjetrin”.

Ky është një pasazh që e shkëputëm nga libri dhe më tej Mira Lala dhe dy fëmijët e tjerë të Demir Zajmit, Agroni dhe Sonila, shpalosin kujtime e mbresa, duke sjellë galeri personazhesh dhe për fatin tonë të madh, që të gjithë të njohur.

Prejardhja e Demir Zajmit është Ulqini. Ai është bir i një detari të njohur ulqinakas Ymer Ali Zajmi, që bleu të parën anije druri për mallra dhe bëri një tregti aktive me Italinë, Libinë, Maltën, Greqinë, Turqinë etj. Fliste rrjedhshëm turqisht, italisht dhe anglisht. Anija e parë, “Azzarda”, e blerë nga Ymer Zajmi fiksohet në vitin 1906. Statura i një detari të vjetër dhe i një patrioti të flaktë, e përjetësuan Ymer Zajmin në vendosjen e emrit të një rruge në Durrës.

Gjithçka të vlefshme, Ymer Zajmi ia kaloi të birit Demirit.

Fjala Demir vjen nga persishtja, që do të thotë i hekurt. Dhe i hekurt qëndroi Demir Zajmi duke u përballur nga vështirësi të panumurta, me sfida të jetës të cilat i kapërceu me sukses. Që i ri u përfshi me armë në dorë në lëvizjen për çlirimin e vëndit, pasi pati mbaruar shkollën qytetëse të Durrësit dhe ku u lidh me shokë të çmuar, me të cilët i bashkoi më pas edhe puna për rindërtim dhe zhvillim.

Pasi mbaroi fakultetin ekonomik, Demir Zajmi caktohet drejtor i shtypshkronjës dhe në bilancin e tij, rregjistrohen 40 vite si drejtues ndërmarrjesh në Durrës, duke fiksuar në memorien e atyre që e shohin, cilësitë e një burri babaxhan, me shpirt e zemër të madhe, kuadër i sprovuar dhe masovik. Njerëzit e donin dhe e respektonin, pasi edhe ai i donte dhe përgjërohej për to.

Ajo që të prek në librin e fëmijvë të Demir Zajmit, po ku dominon pena e sprovuar e Mira Lalës, është dashuria e jashtëzakonshme që tregon ky burrë jo vetëm ndaj fëmijve, bashkshortes, nipërve e mbesave, por edhe ndaj motrave që i donte si drita e syrit. Në kohën e sotme, mesazhi i Demir Zajmit është mëse i qartë. Familje të bashkuara, kushërinj dhe të afërm të bashkuar, për të trashëguar dinjitetin dhe personaliteti njerëzor. Në sfondin e kohës së sotme, gjërat kanë ndryshuar dhe brezi i vjetër edhe në varr vuan për këtë. Miqësia dhe dashuria e tyre për njerëzit dhe të afërmit, është për t’u pirë në kupë. Dhe kjo është në një hapsirë të konsiderueshme në libër.

Demir Zajmi i mbante pranë motrat Nafije Lilën, Qamile Enesin dhe Drita Carën. Kjo e fundit ishte e martuar me kolosin e sporteve të Durrësit, të paharruarin Dilaver Cara. Babai i Demirit Ymeri historik i lundrimeve, martesën e parë e pati me një vajzë nga fisi i Thërmijave, e cila u largua shpejt nga jeta. Martesa e dytë ishte me fat. Gruaja e tij besnike ishte vajza e Mustafa Laknorit, me të cilën shtuan familjen me katër fëmijë Nafijen, Qamilen, Demirin dhe Dritën.

Demir Zajmi ishte në kulmin e gëzimit. Vajza e madhe Mira, u martua me një djalë flori Skënder Lalën, i cili u largua parakohe nga jeta, duke lënë në pikëllim familjen dhe shoqërinë. Agroni, djali i vetëm jeton i lumtur në një lidhje martesore me Almën, me të cilën ka dy djem Sorenin dhe Aldrigden, ndërsa vajza e dytë lidhi jetën me shokun tonë Gëzim Likën, duke iu gëzuar ardhjes në jetë të dy fëmijve Gabrielit dhe vajzës Glenis Azzarda Lika, në kujtim të anijes së parë shqiptare të mallrave që e kishte babai i Demirit, Ymeri.

-Ngriu Demir nga aty ku ndodhesh, të shikosh fëmijët e tu, nipërit dhe mbesat, se sa janë rritur dhe jo rrallë të kujtojmë, duke mos të larguar kurrë nga zemra dhe shpirti i jonë.

Kështu pohon në një nga faqet e librit Mira Lala, vajza mjeke dhe shkrimtare e Demir Zajmit.

Shokët

Kapitull interesant i librit “Demir Zajmi rreze drite”, mbeten miqtë dhe shokët, që përshkruhen me aq mjeshtri dhe art nga Mira Lala. Ata vijnë të gjallë në kujtesën e gjithsecilit, pasi janë emra të njohur dhe me peshë në qytetarinë durrsake. Shkëpusim nga libri një pasazh, ku del në pah përshkrimi që i bëhet emrave të spikatur në Durrës.

-Kur vinin për vizitë në shtëpinë tonë, xhaxhi Emin Haznedari me të shqoqen Sarin, kthehej në një festë të vërtetë. Babai im kishte shpirt të lirë, fluturak. E rrethonin shumë shokë e miq të ngushtë. Hysen Qoshja me trup të lartë dhe sy të qeshur, me zemër të pastër dhe humor të pafund. Profesor Sul Demiri me urtësinë dhe mënçurinë e tij, Sherif Keçi, burrë fisnik, hokatar, përçonte gëzim dhe hare. Kosta Vrami, inteligjenca dhe mirësia e karakterizonte atë. Pirro Rexhepi dhe Dalan Çela, kolegë të punës nga Tirana, një miqësi e pastër dhe e çiltër. Llazar Dhima, nënpunës që në kohën e Zogut, mirsia dhe ndershmëria ishin tiparet e tij. Dr. Fiqiri Këlliçi që ishte edhe kushëriri ynë, dr.Eqerem Enesi, dr. Flamur Tartari, dr. Fatmir Haxhihyseni, dr. Sul Mborja dhe dr.Spiro Doraci, mjekë të nderuar, miq të vlefshëm të babait. Teodor Bixhi burrë me shtat të lartë, Burhan Hoti mësues i talentuar, Mina Huta fqinji ynë, Sopot Verçuni inxhinjer krijues, Laze Lika bashkëluftëtar për çlirimin e Atdheut, Kristaq Spiro Duni, durrsak që përfaqësonte qytetarët e fismë të Durrësit, mjeshtër i punës në fabrikën e miellit. Koço Moisiun, mjeku i familje tonë, burim idesh shkencore, Nikolin Xhoja, aktor i madh dhe me babain i bashkonte shpirti i bukur dhe humori i tyre.

Dhe krahas këtyre, kurora e artë e miqësisë së Demir Zajmit vazhdonte me miq të tillë të thekur dhe me reputacion në Durrës si Lefteri Stavri, Xhafer Qesja, Sami Bylykbashi, Nani Sallata, Mustafa Kadiu, Muharrem Dyrmishi, këngëtari Qemal Kërtusha, Sotiraq Xhimitiku, Bashkim Taga, Iliaz Reka, Dhimitër Isaku, Kozma Koja, Shpresa Baro, Ymer Emini etj.

Libri i sos faqet, me ndjenjën e pastër të mirnjohjes të familjes ndaj krijuesit të saj, por edhe ndaj pozitivitetit që ka rrezatuar Demir Zajmi në qytetarinë durrsake. Mesazhi është i qartë.

Ta duam familjen. Ti duam fëmijët tanë. Të afërmit tanë, miqtë dhe shokët. Të flasim mirë për ta dhe të jemi së bashku në të mira, gëzime dhe ditë të vështira. Dhe këtë amanet thotë urtësia, nuk e tret dheu.

Nëpërmjet jetës së Demir Zajmit në këndvështrimin e së bijës Mira Lala, marrim sinjalin e qartë të respektit dhe dashurisë që meritojnë të kenë prindërit tanë, ata që jetojnë dhe nuk jetojnë.

Gjithnjë mbeten dhe janë prindërit tanë të mrekullueshëm.

Kurrë të mos i harrojmë ata!

Këtë ka bërë në këtë libër edhe Mira Lala.

Durrës: 2 tetor 2020