Nuk është thjesht se u mblodhën disa njerëz dhe katër ekipe moshash dhe formalisht organizatorët janë në rregull me atë që morën përsipër të bëjnë. Brenda tri javësh në Durrës Bashkia e Qytetit, Klubi i Futbollit Teuta dhe Zyra Rajonale e Federatës Shqiptare të Futbollit organizuan tri trofe në nderim të figurave të spikatura të futbollit durrsak. U fillua me Kupën Abdulla Duma, më tej me Nderim Hoxhën, për ta mbyllur për momentin me trofeun Shyqyri Hasa. Nisma u provokua fillimisht nga specialisti i njohur Edmond Zalla, biri i futbollistit të viteve 50-të Ali Zalla, që punon në sektorin e sportit në Bashkinë e Durrësit. Ai rroku bashkëpunimin me përgjegjësin e zyrës rajonale të FSHF-së në Durrës Dritan Babamusta. Kujtohet gjithnjë Babamusta si një nga talentet e futbollit durrsak në 10-të vjeçarin e fundit.
Dhe bëhet pjesë e kësaj nisme të çmuar edhe Eduart Salillari, si sekretar i KF Teuta. Shyqyri Hasa! Një njeri brilant, futbollist me popullaritet në vendlindjen e tij Durrësin, që falë talentit dhe përkushtimit arriti të vendoset në fondin e artë të futbollit durrsak. Historia e futbollit durrsak gjithnjë e ka patur një “arap” në gjirin e saj, duke kujtuar në vitet ‘30 futbollistin Kurt Shtylla. Dhe në fundin e viteve 40-të do të shfaqej i famshmi Banush Pasha, autoriteti më i madh i arapëve në futbollin e qytetit. Shyqyri Hasa shkonte marrëzisht pas topit të futbollit dhe arriti që në adoleshencë të fitonte një vend titullari në ekipin e Lokomotivës. Ai kujtohet gjithnjë për lojën teknike dhe korrekte. Sa herë që vinte ekipi i Partizanit të njohur dhe luante me Lokomotivën në fushën e vjetër të Durrësit, Shyqyri Hasa nuk linte pa ia prekur rrjetën. Edhe sot e kësaj dite, portieri legjendar i Partizanit Sulejman Maliqati, i kujton me nostalgji këto momente. “Ishte shumë i zgjuar në veprimet me topin dhe teknik në gjuajtje,- kujton Maliqati.
Kam luajtur shumë ndeshje ndërkombëtare dhe me kundërshtarë me shumë emër, por në Durrës i ruhesha shumë goditjeve me vlerë goli të Shyqyri Hasës”. Brezi i futbollistëve me të cilët luajti Shyqyri Hasa janë të njohur dhe me plot meritë janë përfshirë në historinë e futbollit durrsak. Qendërmbrojtësi Taq Murati, mbrojtësi i krahut Thoma Thimjo apo Zyhdi Daja, mesfushori Nysret Shyti dhe Omir Topçiu, për të ardhur tek eleganca e sulmuesve Raq Manushi, Orest Grami dhe Nikolla Çeta, janë disa nga futbollistët që luajti Shyqyri Hasa. Shyqo u largua nga futbolli në vitin 1962, duke luajtur 14 vjet me Lokomotivën e tij të adhuruar. Vdiq para 15 viteve nga një atak akut i miokardit, por duke lënë pas një jetë të larmishme sportive e denjë për t’u kujtuar p.sh. në formën e një trofeu. Katër ekipe të U-17 dhe konkretisht Teuta, Shkëndija D, Superior dhe Drenica, para pak ditësh u mblodhën në aneksin e stadiumit “Niko Dovana” për të diskutuar ndërmjet tyre kupën me emrin “Shyqyri Hasa”.
Në finale dolën Drenica dhe Shkëndija D. Ekipi i Drenicës me trajner Fiqiri Mancakun fitoi 2-1 dhe bashkë me të edhe trofeun Shyqyri Hasa. Në mes kujtimesh emocionuese dhe mbresëlënëse për Shyqen dhe brezin e tij, përfundon edhe ky organizim mjaft i goditur. Sigurisht që përvoja e fundit e krijuar në nderim të figurave të futbollit durrsak, do të vazhdojë edhe më tej. Po të ekzistojë vullneti dhe dëshira e mirë për t’i nderuar dhe respektuar këto figura, format dhe mundësitë organizative gjenden. Prandaj edhe “Dyrrah” nxiton ta përshëndesë këtë nismë dhe t’i urojë organizatorëve suksese në ndërmarrje të tilla të mëtejshme.