*Intervistë me profesoren e letërsisë dhe poeten e talentuar, Gladiola Jorbus (Busulla), fituese e Çmimit të dytë "AlbanskPoesiFestivalen", Borås 2018" Suedi.

– Gladiola, ju njiheni si një ndër frekuentueset e zellshme të tempullit të dijes, Bibliotekës Publike të qytetit të Durrësit. (Ndonëse, ati juaj, profesori i nderuar i gjuhës dhe i letërsisë, i ndjeri, Fat Busulla kishte një bibliotekë të pasur). Mësojmë kështu një marrëdhënie simbiotike me letërsinë. Çfarë mund të shtoni ? 

Falë tim eti, librat,shpejt u bënë  lodra ime e preferuar. Fillova me shkrimtaren, Selma Lagerlof femrën e parë nobeliste, "Aventurat e Nils Holgersonit", Astrid Lindgren "Pipi Çorapegjata", më pas vijoi "Euripidi në prozë" e shumë, e shumë vepra e kryevepra të tjera. Dhe është e vërtetë që e kam frekuentuar bibliotekën që nxënëse, studente e më tej sepse pikësëpari duhet të lexosh shumë, para se të fillosh krijimtarinë vetjake. Pessoa, një ndër penat më të çmuara të shekullit XX ka thënë se "jeta nuk mjafton, prandaj ekziston letërsia (poezia do të shtoja unë)".

– Aktualisht jeni afirmuar e duartrokitur për dy vëllime poetike interesante dhe jo vetëm. Poezia juaj është vlerësuar në skena letrare brenda dhe jashtë vendit tonë. Së fundmi jeni kthyer me trofe nga Suedia e largët. Cili ishte aktiviteti ku morët pjesë?.

Isha pjesëmarrëse në festivalin VII të poezisë "AlbanskPoesiFestivalen" Borås 2018", Suedi. Përveç që konkurova në këtë festival dhe u vlerësova me çmimin e dytë nga Shoqata Shkrimtarëve dhe Artistëve "Papa Klementi XI ALBANI", jam  përfshirë në Antologjinë me 63 autorë; shqiptarë, suedezë, islandezë, çekë, bullgarë, kurdë e ruse. Botimi u realizua prej  shoqatës  kulturore "Migjeni", po aty (Suedi). Festivali poetik bashkoi disa poetë e shkrimtarë shqiptarë dhe të kombeve të tjera. Ishte një manifestim i madh letrar, pa dallim identiteti, ku kryefjalë mbetej integrimi përmes kulturës së shkruar, letërsisë. Shkëmbime kulturore të vyera dhe të domosdoshme, sidomos për mërgatën kosovare të vendosur aty në dekadat e fundit. Intelektualët shqiptarë janë promotori i veprimtarive të tilla. Natyrisht, kjo flet qartë edhe për politikën mbështetëse të Suedisë ndaj të gjtha etnive.

– Pra, në të shtunën e fundit të marsitmes dhjetra zërave poetikë, tingëlloi edhe poezia e një poeteshe durrsake, e cila e përcolli bukur poezinë e saj. Ç'është poezia për ju ?

"Poezia është retorika e shpirtit!" Poezia mund të shërbejë si një katalizator i spiritualitetit, pra ashtu si katalizatori që vetë nuk ndryshon, por përdoret për të ndryshuar rrjedhën e reaksionit kimik, ashtu dhe rrjedha e gjendjes shpirtërore, e natyrës njerëzore, e vetë jetës pëson nxitje, sa herë që poezia (si katalizator) i përçon mesazhe e ngacmime.

Poezia luan kukafshehtas me ne, teksa lind fëmijët e saj, i mëson paksa të ecë dhe më pas zhduket; fluturon drejt qiellit a drejt thellësive të detit; këtë çast sublim sa një pulitje sysh, e mbartim me vete si enigmë. "Par excellence" e përkufizojmë poezinë si një zhanër letrar, i cili manifeston bukurinë ose sentimentin estetik, përmes fjalës. Por, unë e konceptoj edhe si diçka që brenda meje e kujtdo poeti, se diçka po zien, po bluhet, po mbarset, po ngjizet. Poezia është një formë komunikimi autor – lexues, ndonjëherë e krahasueshme me manikeizmin, rrymën shekullin III, pas Krishtit, e cila mbështetej mbi besimin radikalisht dualist të dy parimeve bazë: Drita dhe Errësira, sa të ndryshme aq dhe koherente, sa të pavarura, aq dhe kontrastuese, që influencojnë e prekin çdo aspekt të sjelljes dhe të ekzistencës njerëzore. Pra thënë shkurt, poezia është retorika e shpirtit.

Gladiola të qënit poete, përveçse empatike, ndjeshme, e kulturuar. Ç'do të thotë për ju?

Sipas meje, poeti rrëmon kudo dhe në gjithçka, shfaqet shenjtor, profet, sheh me sytë e shpirtit, ka intuitë artistike, është një medium që frymëzon, shëron, rrëfen, parandjen, endet në hapësirat e lirizmit, mih fjalën, kadencën, vargun,poezinë vetë. Çdo poet mbart gurgullimën e vendlindjes brenda zemrës dhe vargjeve të veta; poetët shqiptarë e endin poezinë në pëlhurën e çmueshme të gjuhës shqipe. Trekëndëshi poezi – gjuhë – figura stilistike na çon në një deduksion :"Mjerimi fillon aty ku  librat mbarojnë". Poezia është zëri i botës, një lashtësi pa kronologji apo siç shprehet Octavio Paz: "Poeti meriton atë që ëndërron". Kurse unë, do të deduktoja se "Poeti duhet të shkruajë bukur, që të ndihet bukur, e rrjedhimisht do të mund të jetojë bukur".

A beson se poezia mund të ndikojë në natyrën njerëzore?

Secili syresh që shkruan mund t’i japë një përgjigje të ndryshme kësaj pyetjeje. Kjo do të thotë se poezia mund të jetë "një mekanizëm i ngarkuar me ndjenja, në një korpus 10 apo 12 – rrokësh", pa ndonjë pretendim tjetër, sesa vetë estetikës. Përsa i përket qëllimit; në art përgjithësisht nuk ka qëllime. Në poezi, akoma më pak, sepse ajo buron nga emocionet. Personalisht do të doja që poezia të shuante armiqësitë dhe përmes saj të mbretëronte mirëkuptimi, por kjo s’mbetet veçse një dëshirë naive ose utopike.

– Gladiola, Utopike mbetet vetëm për ata që nuk lexojnë dhe jo vetëm poezinë tënde. Madje madje, për ata që nuk kanë libra fare në ato farë daxhash luksi, por që pa libra i shëmbëllejnë njeriut pa sy.

  Jam plotësisht dakord me ju, zonja Flora.Ashtu siç ka thënë dikur Ciceroni, oratori romak, divulguesi i filozofisë dhe vetë ekselenca e latinizmit : “Një shtëpi pa libra është si një trup pa shpirt.

– Gladiola bashkëshorte, profesore letërsie,  nënë, aktiviste sociale, udhëtare, leximtare. A ka heshtje ??? 

Çdokush ka nevojë për dozën e përditshme të kërkimit. Heshtja është fryt i meditimit dhe duket se i ngjan një udhëtimi, ku prekim përjetësinë e tranzicionit dhe  evokojmë  misterin. Njeriu është i prirur kryesisht të shkruajë, të thurë vargje gjatë momenteve të trishta, të dyshimeve  ekzistenciale a përpëlitjeve shpirtërore, që trokasin në dyert e mendimit, sepse momentet e alegrisë, mjaftohet duke i gëzuar e shijuar.

– Cilët janë poetët dhe autorët që u referoheni më shpesh ?

Për shumë ose pak arsye të ekspozuara, unë e konsideroj veten një lexuese disi anarkiste. Kam lexuar gjithçka ka mbërritur tek unë, edhe pse herë pas here, kam kërkuar ndonjë autor të veçantë. Dhënia e emrave gjithmonë do të jetë një përgjegjësi e çoroditur. Nga klasikët te bashkëkohorët ekziston një  listë e madhe, në të cilën secili prej nesh mund të zhytet me ëndje dhe të rizbulojë vazhdimisht kënaqësinë e të lexuarit./ Intervistoi: Flora Gjondedaj Dervishi