Ditë intensive në Muzeun Arkeologjik Durrës

06/05/2021 - 17:09

NGA POL MILO*

“Muzeu është një vend ku njeriu duhet të humbasë kokën”

Renzo Piano

 “Muzetë e vërtetë janë vendet ku koha transformohet në hapësirë”

Orhan Pamuk

Një vizitë në muze

Një ecje nëpër rrugicat e qytetit antik të Durrësit është sa medituese aq edhe e pamjaftueshme për të kuptuar madhështinë historike që mban përsipër ky qytet. Sado të vërdallisesh lart e poshtë prapë nuk mjafton. Kur takon nëpër këto rrugica artistë, në një mendësi krejt të paparashikuar, përtej diskutimeve artistike, kulturore apo antropologjike për të thelluar më tej kuptimin e tyre, mund të të vijë natyrshëm të vizitosh Muzeun Arkeologjik.

Gjëja e parë që të bën të rifillosh diskutimin përpara Muzeu Arkeologjik është arkitektura e tij e veçantë moderne e një stili perëndimor (i krijuar nga një ekip arkitektësh gjermanë), ndërkohë që në brendësi të tij mund të gjenden personalitete, emrat e të cilëve duhet të përmenden, pasi jo vetëm që i takon dhe meritojnë një falenderim për një punë virtuoze, por që është e pamundur të përshkruhet talenti dhe pasioni që i përket pikërisht atyre e mjaft të tjerëve. Fillimisht mund të takohet specialistja kuratore energjike dhe pasionante Antigoni Suli e cila na fton në këtë vizitë. Ajo mund të shpjegojë me detaje dhe imtësi çdo seksion të muzeut. Më pas mund të bashkohesh me drejtuesin model me mikpritje dhe elegancë bashkëkohore Alban Ramohitaj apo artistin, mjeshtrin e talentuar dhe restauratorin Antonin Gjeluci.

Brenda në hollin e muzeut të presin skulpturat e lashta romake pa kokë, qypat e mëdhenj antikë dhe seksionet e ndara e të kuruara me kujdes. Aty gjenden pjesët e një lashtësie të përshkruara deri në detajet me të imëta siç është gjerdani në qafën e një statuje votive që i dhuroheshin perëndeshës Artemisë, ose lojrave të fëmijëve siç mund të jetë një njeri mbi një gjel, e kur mendon sesi është punuar një skulpture prej balte, mund të habitesh me fantazinë dhe hijeshinë e perceptimit se deri ku shkon mendja e një skulptori në shekullin e katërt para erës sonë.

Kolona të rrumbullakëta gurësh varri mbajne mbishkrimin XAIPE (Hiere) – Lamtumirë, ndërsa krijimi i emrave identitet të zbuluar nga arkieologu i shquar Vangjel Toçi formojnë një varg të gjate emrash ilirë, si dëshmi e ekzistencës së tyre. Çdo cep i këtij muzeu duket si një cep Olimpi, ku takohen perënditë dhe titanët bashkë.

Bouquet from Epidamn

Në një nga hapësirat e brendshme, kuratorja Antigoni na shoqëron tek ekspozita e artit “Bouqet from Epidamn”, e organizuar për të celebruar Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve. Kjo ekspozite e hapur gjate muajit Prill-Maj 2021 kishte një mesazh të fortë, domethënës, të këtij misioni: “E shkuara komplekse dhe e ardhmja ndryshe”!

“Një nga rolet më esenciale të trashëgimisë kulturore është bashkimi i pjesëtarëve të ndryshëm të komunitetit - thotë Antigoni. – Kjo ekspozitë ka patur pikërisht një ide të tillë, të bëjë bashkë një pleiadë artistësh që u bënë pjesë e sistemit të trashëgimisë, duke i dhënë asaj forcën e tyre krijuese, por edhe duke u frymëzuar prej saj në artin e tyre. Një nga qëllimet e kësaj ekspozite është ti nderojë ata.

Në një ekran të madh shfaqen në një video të përgatitur enkas për ekspozitën, imazhet e artistëve pjesëmarrës gjatë punës së tyrë në gërmimet arkeologjike, në restaurimin e objekteve, dokumentimin, ekspozimin apo krijimin e platformave muzeale.

Ndërsa në sallën e ekspozitave janë prezantuar të njëjtët artistë me punët e tyre artistike në mediume të ndryshme. Në fillim janë portretet femërore të piktores Liljana Çika dhe Myrvete Dajlani ku bie ne sy portreti  një vajze me qafë të zgatur që të sjell ndërmend Modiglianin. Me pas vijojne foto dhe piktura të tjera. Syri i nje vajze në pikturën e Moikomit duket sikur është vetë syri i tij që na vështron përtej përjetësisë.

Fytyra e fëmijës së pafajshëm në vaj i Nikolet Vasias, ndiqet nga fytyrat e tjera të shokëve dhe të miqve të tij, të një tablloje të vetme, e dendur me motive popullore të përcjellë nga emocionet jetike të një feste sa të mistershme aq edhe gazmore. Pikturat e Gavril Priftulit shoqërohen nga skulpturat e Idriz Balanit, ku në medalionin prej bronzi buzëqeshja fine e Gjergj Vlashit sa na kujton mungesën e tij.

Piktori Agim Kavaja ofron një tabllo të parkut të dikurshëm të muzeut, i qete, i brishte, pa ndërtesa përreth. Nga një pikturë dikur realiste, ajo tani duket sikur paraqet një surrealizëm ironik, me një prepotencë: “më shikoni sesi kam qenë dikur”!

Helmeta ilire mbi murin rrethues të kalasë ne pikturen e Alfred Kedhit me emrin provokues “Durrsitak-Identishtet”, më e madhe se pallati tridhjetë katësh, rri si një kambanë që trondit dheun kur thotë se këtu duhet te sundoje lashtësia dhe jo betoni. Skulptura e Redonit në miniaturë e Ilir Xhixhes se bashku me punimet e Nelo Lukacit dhe Kujtim Turkeshit shëndrisin përtej vetratës, kurse ne anen tjeter ato te ibrahim Reçit, ndërthyejnë imazhet artistike me fantazinë .

Kulla e lartë e fillimit të një turi turistik e propozuar nga artisti Qazim Kertusha, por njekohesisht edhe e mbarimit të po asaj shëtitje, e vendosur në mes të rrugës dhe pallateve betoniane, tentojnë të lidhin një periudhë të dikur të motçme me një periudhë të aktualitetit të çmendur.

Në balloren fundore rrijnë të ekspozuara punimet e Antonin Gjelucit, me pikturën e tij në stilin mistik, ende më të thellë se Salvador Dali, ku në çdo fije të telajove të tij dallohen ndërthurjet  mes ëndrrave të një përralle femijërore me deshirat për të eksploruar përtej detit.

Ariana Nebiaj dhe Stela Kovaci, dy arkitekte të reja na ftojnë në një udhëtim imagjinar në katin e dytë të muzeut, një platformë e realizuar në 3-D, si një propozim apo thirrje kundër heshtjes për hapjen e ekspozitës së përhershme të katit të dytë.

Ndërsa artisti i ri Ivo Moja prezantohet me një instalcion, në të cilin ai shpreh ankthin e tij për rrezikun që i kanoset trashëgimisë së qytetit, monumenteve të së shkuarës së tij të lavdishme, nga zhvillimi i vrullshëm i qytetit modern.

Ekspozita “Bouquet from Epidamn” nuk është vetëm një vizitë më tepër në muze, thotë kuratorja. Një tjetër qëllim i rëndësishëm i saj është të gjenerojë bashkëpunime dhe ide, si dhe të nxisë angazhimin e miqve të muzeut dhe të të gjithë publikut ndaj kësaj pasurie të pacmueshme që përfaqëson trashëgimia arkeologjike e qytetit të Durrësit.

Shtegtime dhe rikthime

Shtohet magjia e takimeve mes artit dhe njerëzve,  kur në muze vijnë artistë dinozaur me famë botërore, si durrsaku Helidon Xhixha. Vazhdueshmëria e stilit artistik mër përmasa të tjera kur dëgjohet të komentohet, të bisedohet e të ideohet, por edhe të kritikohet midis veprave dhe këtyre artistëve të mëdhenj nga një qytet i vogël.

Por si është e mundur që një qytet i vogël prodhon artistë të mëdhenj botërisht? A është ky një paradoks kazual? Përse shtegtimi i këtyre artistëve dinozaurë na lëndon dhe rikthimi i tyre na mahnit e njëkohësisht na mbush me shpresë? A është shpresa vetëm pjesë e këtij arti apo është një nevojë e madhe e një shoqërie tranzitore që nëpërmjet të pavetëdijshmes po rikërkon të ngrejë artin shpirtëror që duket se ka humbur prej kohësh. Në një pllakë të hershme gdhendur në një gur, dikur thuhej se: “nëse do të vrasësh shpirtin e një kombi atëherë duhet të vrasësh artistët e tij”. Kjo dukuri duhet të ketë qenë e vërtetë.

Nuk është rastësi që ky qytet mbledh artistë të niveleve botërore, pasi ky qytet është vetë  prodhues i tyre. Ky qytet është një mekanizëm prodhues energjik. Duhet të ketë qenë kështu që nga krijimi i botës, pasi jo pa arsye një pjesë e rëndësishme e historisë së po kësaj bote është zhvilluar këtu. Po, këtu gjenden njëkohësisht arratija me rikthimin, çmenduria me artistiken, lashtësia me aktualen, tirania me humanizmin dhe babëzia me gjeniun.

Pikërisht shtegtimi i këtyre gjenive anembanë botës prej disa mijëvjeçarësh duket si një mister që riciklohet. Të gjithë e dinë mjaft mirë këtë edhe pse një heshtje në dukje bie herë pas herë, në mungesë të aprovimit. Nganjëherë rastësia lë shteg të lirë siç është po rastësia që rimbledh.

Duket se shpirti i qyteteve prej mijëvjeçarëve nuk dorëzohet kollaj. Ai rikthehet nëpërmjet artit në format më të papritura, nëpërmjet imazhit, nëpërmjet pikturës, nëpërmjet skulpturës, nëpërmjet instalacioneve, nëpërmjet muzikës, nëpërmjet shkrimeve, librave, poezisë, prozës apo çdo lloj grimce që është gdhendur prej tij.

Qyteti me formë dhe prejardhje të tillë duhet të ketë bërë marrëveshje të fshehura, ndaj dhe fantazma e tij është e vështirë të rikrijohet. Shpesh herë kjo fantazmë duket sikur përndjek nëpërmjet strukturave që mundohen ta rivalizojnë atë. Ndoshta ky konflikt shpirtëror mund të jetë karakteristikë e hershme e qyteteve antike. Por brenda konfliktit është paqja që duhet të dijë të mbijetojë. Kjo mbijetesë mund të vijë vetëm nëpërmjet shpirtit artistik, nëpërmjet artistit, ndaj dhe rastësia duket sikur luan me këtë lojë. Ajo e di mirë ndërkohë që është momenti ta mësojmë edhe ne.

Tempujt e dijes dhe të artit gjithnjë i kanë kaluar sfida të tilla. Kolonat e tyre të bazuara në shtresat më të forta tokësore kanë ditur ti bëjnë ballë mizorive të urrejtjes, heshtjes dhe padijes historike. Ndoshta ky është fati jonë që kemi lindur poshtë çative të këtyre tempujve. A është kjo një e mirë që na është dhuruar dhe nuk dimë ta shfrytëzojmë? Apo duhet të risillemi nëpër labirinte të tilla, derisa të gjejmë të njëjtat përfundime? Sa më i lashtë të jetë një qytet aq më të mëdha duhet të jenë vlerat e tij kulturore e aq më tepër duhet të jetë i predispozuar për artin. Por këtu diçka e ka ndryshuar këtë raport.

“Po, po, këtu diçka është ndryshuar. Ky është muzeu me arkitekturën më të bukur", - thotë në përfundim Helidon Xhixha.

Kur mendon shprehjen që “muzeu është vendi ku njeriu duhet të humbasë kokën”, duket se trupi i statujës romake prej shekujsh është ende në kërkim të kokës së saj të humbur, e cila mesa duket ka vendosur mos ti rikthehet më kurrë.

*Autor i librit “Shtegëtimi i Dinozaurve Fluturues”

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Nxënësit e shkollës artistike "Jan Kukuzeli" në Durrës kanë zhvilluar një koncert mbrëmjen e kaluar në ambientet e Muzeut Arkeologjik.

Ajo kërkon të mirëkuptohet nga bashkëshorti, të gjejë tek njeriu që ka zgjedhur të ketë përkrah një shok dhe një mbështetës.

Aventurat dashurore të beqarit francez, Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe, në komedinë e sukseshme dhe mjaft të dashur për artdashës

Emmi Rushiti është njëra nga fitueset e çmimit të parë të edicionit të VI-të të Festivalit të Ansambleve Popullore të shkollave 9-vjeçare

Në mjediset e Bibliotekës së Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës u promovua libri  “Zhvillime urbane: tradita dhe risi Rasti i Kamzë

Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare aktori dhe regjisori i njohur shqiptar Pirro Mani.

Për të 19-n vit është mbajtur eventi "Miss dhe Mister Durrësi 2021", ku janë përzgjedhur mbretëresha dhe mbreti i bukurisë durrsake.

Ditën e sotme, në sheshin "Italia", para Stadiumit Kombëtar u inaugurua skulptura e artistit të njohur ndërkombëtar Helidon Xhixha.

Zyra Vendore Arsimore Durrës ka organizuar këtë të hënë ceremoninë e ndarjes së çmimeve të edicionit të XII, të Festivalit Rinor "Epidamn