Prej kohësh kriminaliteti në vend është rritur duke dëshmuar dobësimin e shtetit dhe forcimin e elementit kriminal. Vrasja e kryekomisar Adem Tahirajt me dritë hijet e saj mbi detajet dhe praktikën e ndjekur nga viktima në një aksion rutinë policor, më së shumti ka hequr rishtazi perden e pluhurtë mbi një pjesë të sistemit gjyqësor dhe mënyrës së funksionimit të tij. Një vrasës që lirohet nga drejtësia dhe vret e këtë herë ndëshkon vetë shtetin, mbase si një sinjal ogurzi ndërgjegjësimi për atë që ndodh në këtë vend dhe domosdoshmërinë për të ndryshuar realitetin gjyqësor që ndëshkon jetë njerëzore, ul sigurinë e jetës në emër të vendosjes së drejtësisë. Cilës drejtësi?!

Ky rast, ashtu si dhe shumë të tjerë që i kanë paraprirë ndër vite, kanë dëshmuar se pjesë të sistemit gyqësor janë segmente të botës së krimit. Edhe nëse nuk i përkasin drejtpërdrejt asaj, janë aty për ta mbështetur, për t’i siguruar rrugëdaljet dhe gjyqtarët janë nga njerëzit që më së miri praktikojnë në arsyetimet e tyre për të vendosur të ashtuquajtur drejtësi, “faktin” që nuk ka fakte, po vetëm interpretime.

Të udhëhequr nga kjo vendosin drejtësinë dhe ndëshkojnë pambarimisht një sistem të tërë, një vend të tërë të ngërthyer në falangat e drejtësisë pa drejtësi, në dyert e së cilës të gjithë, ne të zakonshmit, kemi frikë të trokasim, qoftë dhe për të kërkuar një të drejtë, pasi e dimë se do të fitojë ai më i forti, ai më i pasuri. Ne të tjerët njohim ligjin dhe e zbatojmë sepse ai ka dalë vetëm për ne.  

Dhe për t’iu kthyer ekzekutimit të së enjtes, shumëkush kur ka dëgjuar lajmet dhe për emrin e autorit ka menduar: “Përveç tij, përgjegjëse në vrasjen e kryekomisar Adem Tahirajt mund të jenë dhe gjyqtarët që e lanë të lirë ekzekutorin e dënuar me 21 vjet heqje lirie për një tjetër krim kundër personit, për një tjetër vrasje”.

Përgjegjësi e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në këtë krim të shëmtuar që godet shtetin dhe duhet ta trondisë fort atë për të shkundur strukturat shtrënguese dhe goditur kriminalitetin në vend, pritet të jenë autoritetet përgjegjëse ta vlerësojnë në bazë të verifikimeve të vendimeve dhe arsyetimeve gjyqësore të bëra për këtë rast, por edhe shumë të tjera që flejnë të mykura e në jo pak raste të pazbardhura në gjykata.

Të premten e javës së kaluar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës kanë zbarkuar përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë për të ndjekur rregullsinë e procesit gjyqësor dhe të arsyetimit të vendimit të dhënë nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Neritan Tabaku. Por jo vetëm. Parregullsi në gjykimin e Xhakajve deklarohet të kenë bërë për vepra të tjera penale dhe gjyqtarë të tjerë të kësaj gjykate, përfshirë kryetarin e saj. Rënie akuzash, dënime me kohën e paraburgimit dhe liri.

Sot, nuk ka një grupim njerëzish të veshur me autoritet nga LIGJI që të varen realisht vetëm prej tij dhe ta zbatojnë atë. Vullneti shtetëror mungon. Vullneti politik gjithashtu. Akoma më fatkeqësi është që mungon edhe vullneti individual, vullneti i specialistëve antikrim, i gjyqtarëve etj. për të goditur deri në fund, në emër të ligjit dhe së drejtës krimin dhe ata që e prodhojnë dhe mbrojnë atë. Krimi nuk ka frikë dhe ne JEMI VETËM

Gjyqësori gjithnjë e më shumë po i jep dorë hallkave të tjera të mbajnë mbi supe barrën e favorizimit të krimit dhe kjo për shkak të pushtetit me të cilën Kushtetuta me të drejtë e ka veshur gjyqësorin, po që në realitet ky pushtet po e fundos drejtësinë në vend.

Prej disa ditësh në bazën zyrtare të të dhënave elektronike të gjykatave janë zhdukur të gjitha çështjet e gjykuara nga gjyqtari Tabaku gjatë katër viteve të fundit. Kërkesa në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës për t’u njohur me arsyetimin ligjor dhe vendimin e lirimit të të arrestuarit nga kjo gjykatë merr si përgjigje vetëm vënien në dispozicion të dispozitivit të vendimit penal që i përket të pandehurit Ilir Xhakja, ndërsa vendimi i plotë deklarohet se nuk mund të jepet përsa kohë nuk është i formës së prerë, pasi ky vendim është ankimuar nga organi i akuzës.

Por problemi qëndron gjetkë. Gjyqtari nuk e ka bërë arsyetimin e vendimit, përtej çdo kufiri kohor të përcaktuar nga Kodi i Procedurës Penale. Prokuroria e Përgjithshme përmes këshilltarit për mediat Plator Nesturi zbardhi një tjetër fakt. Jo vetëm që e ka lënë të lirë në sallën e gjyqit autorin, po vendimi nuk është zbardhur ende që nga shkurti i vitit 2011, duke çuar në bllokim të procesit në Gjykatën e Apelit. Për shkak të afateve, Prokuroria e ka dërguar ankimimin edhe pse nuk ka patur një vendim të zbardhur. Ai po zbardhet këto ditë, i detyruar nga situata e krijuar pas vrasjes së kryekomisarit të Shijakut.

Përgjegjësia ndaj vendimit të marrë nuk ndalet vetëm te një emër gjyqtari, pasi vendimi në favor të Ilir Xhakes nuk ka pasur mendim pakice. Treshja e gjyqtarëve të gjykatës së Durrësit e kanë shpallur të pafajshëm shtetasin Ilir Xhakja për veprën penale të vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim, duke arsyetuar se nuk provohet që i pandehuri ta ketë kryer veprën për të cilën akuzohet.

Po ky trup vendos pushimin e çështjes penale përsa i përket akuzës së mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve duke çuar në lirimin në sallën e gjyqit të shtetasit Xhakja, i cili mbrëmjen e së enjtes së kaluar kreu vrasjen e rradhës. Përveç Ministrisë së Drejtësisë edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, si organ i pavarur nga pushteti ekzekutiv ka nisur verifikimet për veprimtarinë gjyqësore të realizuar nga Gjykata e Lartë dhe ajo e rrethit gjyqësor Durrës në ngarkim të personit të akuzuar si autor i vrasjes së shefit të komisariatit të Shijakut.

Tabaku është një nga gjyqtarët më të diskutuar vitet e fundit përsa i përket vendimeve të dhëna, që konsistojnë në lirimin e emrave të njohur të krimit të organizuar duke nisur nga Klodjan Saliu, rivali i Lul Berishës i cili u ekzekutua pak pas lirimit nga qelitë në vitin 2005, për të vijuar më pas me lirimin e Gëzimit të Kashtës në vitin 2007, duke e argumentuar lirimin me pamjaftueshmërinë e provave për akuzat e ngritura nga organi i prokurorisë.

Ashtu si pafajësia e Xhakajt, edhe pafajësia e Saliut u apelua nga organi i akuzës durrsake. E ndërsa gjykimi në Apel për të parin është i bllokuar, në rastin e Saliut edhe gjykata e Apelit, ashtu si dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë lanë në fuqi pafajësinë e tij, duke mos e lënë thjesht te një emër gjyqtari përgjegjësinë për arsyetimin penal të vendimit që u pasua nga disa kohë më pas nga ekzekutimi i të liruarit në autostradë.  Kështu të treja hallkat e gjyqësorit nuk morën parasysh provat e sjella nga akuza.

Thonë që gjurmët papilare, gjurmët e gishtërinjve janë mbreti i provave në një proces gjyqësor për fajësimin e një personi të dyshuar. Në Shqipëri jo gjithnjë ndodh. Në rastin e shtetasit Ilir Xhakja është vendimi i Kolegjit Penal që ndonëse vendos të prishë dy vendimet e gjykatave të Krimeve të Rënda në Tiranë me arsyetimin e vet e bekon, paralajmëron plotësisht vendimin e Durrësit për lirimin në sallën e gjyqit e më pas vijimësinë e aktivitetit kriminal, produkt i të cilit ishte dhe vrasja e shefit të komisariatit Shijak, Adem Tahiraj. Në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, ku vrasësi u dënua me 21 vjet heqje lirie mësohet se çështja është gjykuar nga Ina Rama, atëherë gjyqtare në këtë gjykatë.

Vrasja e kryekomisarit Tahiraj pret një analizim të hollësishëm nga autoritetet jo vetëm mbi veprimtarinë e gjyqtarëve që çuan në lirimin e vrasësit, por edhe mbi veprimet e mosveprimet e policisë, pasi humbja e një shefi policie është jo vetëm e dhimbshme, por edhe nevojë për reflektim mbi sjelljen, disiplinën dhe praktikat e ndjekura policore gjatë kontakteve me elementët kriminal në terren, veçanërisht të drejtuesve.

Sot Shqipëria, për fat të keq, nuk ka një elitë të pavarur policore dhe gjyqësore që t’i thotë “Ndal” botës së krimit, të reagojë fort ndaj saj dhe ta detyrojë dalëngadalë të shtrihet në shtratin e prokustit. Sot, nuk ka një grupim njerëzish të veshur me autoritet nga LIGJI që të varen realisht vetëm prej tij dhe ta zbatojnë atë. Vullneti shtetëror mungon. Vullneti politik gjithashtu.

Akoma më fatkeqësi është që mungon edhe vullneti individual, vullneti i specialistëve antikrim, i gjyqtarëve etj. për të goditur deri në fund, në emër të ligjit dhe së drejtës krimin dhe ata që e prodhojnë dhe mbrojnë atë. Krimi nuk ka frikë dhe ne JEMI VETËM.