NORVEGJI – Oferta e pazakonshme e gruas së vetmuar ka ngjallur një valë të jashtëzakonshme solidarizimi, edhe jashtë Norvegjisë, ku jeton ajo. Siç transmeton Albinfo, plaka e vetmuar, norvegjezja 88-vjeçare, Reidun Synnøve Orest, thjesht, nuk donte më të festonte Krishtlindjet në vetmi. Bashkëshorti i kishte vdekur para 20 vitesh, ndërsa pak më vonë edhe i biri, edhe vëllai.

Kështu, Reidun, familjarët e vetëm i kishte jashtë Evropës, prandaj detyrohej që të gjitha festat, edhe Krishtlindjen, t`i festonte e vetme. Por, këtë vit, më saktë, nga fundi i nëntorit, ajo kishte vendosur t`i jepte fund vetmisë në festën e fundvitit. Plaka 88 vjeçe kishte marrë guximin dhe kishte bërë një shpallje në gazetën Aftenposten, ku kërkonte njerëz, që do t`i bënin shoqëri për këtë festë. Në shpallje ajo kishte nënvizuar edhe këtë: “Paguaj mirë!”.

Oferta e pazakonshme e gruas së vetmuar ngjalli një valë të jashtëzakonshme solidarizimi dhe jo vetëm në Norvegji. Me qindra vetë, mes të cilëve edhe nga Tajlanda e largët, i kishin ofruar asaj mikpritje për Krishtlindje. Sigurisht, ofertuesit nuk pranojnë pagesë për këtë mikpritje, ata duan të kontribuojnë që askush të mos jetë i detyruar të festojë i vetmuar. Për këtë arsye madje është hapur edhe një faqe në Facebook, të cilës i janë bashkuar mbi 3400 veta. Në fund Reidun ka zgjedhur një vatër ku do të festonte. “Një familje e mirë, me dy fëmijë dhe me një qen, më kanë ftuar për festë”, ka thënë ajo për mediet norvegjeze.