Deputetët e opozitës kërkuan sot në Kuvend shtyrjen e shqyrtimit të shtesave dhe ndryshimeve në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Duke marrë fjalën në seancë plenare, deputetja e PD-së Jorida Tabaku sqaroi se nuk kërkohet thjesht shtyrja e ligjit me një javë, por që ligji të jetë brenda parimeve të sistemit duke ruajtur hierarkinë.

“Këtu z Çuçi nuk është në seancë por unë doja të diskutoja dhe të prekja një temë që është më e rëndësishme se sa biletat e kombëtares. Kjo lidhet me gjykatën kushtetuese, sot në rendin e ditës është një projektligj që ka ardhur nga Ministria e Drejtësisë, në lidhje me pagat e Gjykatës Kushtetuese. Një temë që është diskutuar dhe debatuar gjatë nga ana jonë dhe kemi dhënë edhe ne mendimet tona.
Së pari, Gjykata Kushtetuese duhet t’i çonte kërkesat e saj në Kuvend që të diskutoheshin si pjesë e një pakete për reformën në drejtësi që po diskutohet. Një diskutim për ndryshimet që po i bëhen reformës në drejtësi, pikërisht ky hap i anashkaluar nga ana e Gjykatës Kushtetuese krijon një problem në procedurë sipas nesh.
Përpos kësaj ne duhet të kemi parasysh që qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë një reformë tërësore në sistemin e pagave të gjyqësorit. Duhet të shohë dhe gjykatën speciale që ka një volum të rritur pune. Duhet të shohë të gjithë sistemin e pagave në sistemin e drejtësisë.
Besoj që flas dhe në emër të kolegëve të PD nëse do e shohim të gjithë tërësore dhe të flasim edhe vendosim mbi parimet. Dhe nuk do merreshim me një nga elementët e sistemit të drejtësisë, pra GJK.
Pra shpresoj që të kemi një dakordësi nga kolegët e mazhorancës, që të tërhiqet ligji sot dhe t’i ushtrohet procedurës parlamentare dhe t’i shkojë komisionit të ndryshimeve të ligjeve të reformës në drejtësi për të parë mundësinë për një reformë tërësore të sistemit të pagave. Duke i dhënë dinjitet sistemit dhe nuk cenon parimet të cilat është rënë dakord kur është miratuar reforma në drejtësi”, propozoi Tabaku.