Honoluluja është bërë qyteti i parë, që i ndalon këmbësorët të shohin telefonat celularë, të dërgojnë mesazhe, apo të përdorin çfarëdolloj pajisjeje elektronike, teksa kalojnë rrugën.
Ligji që hyn në fuqi në tetor në kryeqytetin e Hawait, ka si qëllim të parandalojë lëndimet, madje edhe vdekjet që vijnë si pasojë e të ecurit të pakujdesshëm.

Shkelja e parë e ligjit gjobitet deri në 35 dollarë, ndërsa përsëritësit deri në 100 dollarë. Ligji u firmos nga kryebashkiaku i Honolulusë, Kirk Caldwell, pasi u miratua nga Këshilli Bashkiak me 7 vota pro dhe 2 kundër.

Sipas legjislacionit të ri, asnjë këmbësor nuk do të kalojë rrugën, apo autostradën, duke parë një pajisje portabile elektronike në dorë. Përjashtim bën rasti, kur këmbësori i telefonon urgjencës apo policisë. Ligji, sigurisht që ka pasur kundërshtarët e tij, të cilët thonë se autoritetet po e teprojnë me këto rregulla. Ndërsa të tjerë janë ankuar se ligji duhej të ishte më i rreptë, pasi përdorimi i celularit duhej ndaluar prej kohësh edhe për ata që ecin në trotuar.

Statistikat thonë se, nga viti 2000 deri në 2011-n, në SHBA u lënduan 11.100 njerëz për shkak të të ecurit të pakujdesshëm, ndërsa perdornin telefonin celular. Nuk ka raporte për vitet në vazhdim, por analistët thonë se shifrat duhet të jenë shumë më të larta, për shkak të rritjes së jashtëzakonshme të përdorimit të pajisjeve elektronike për komunikim.