Të martën paradite në portin e Durrësit do të ankorohet velieri luksoz “Sea Cloud”, i cili mbërrin për të gjashtin vit radhazi në portin e Durrësit.

Që nga viti 2012, velieri kryen 4 lundrime në çdo sezon turistik drejt portit më të madh të vendit tonë, u shprehën burime të agjencisë detare pritëse “Intermed Shiping”.

Anija me flamur maltez dhe me gjatësi 109.5 metra do të ankorohet nesër rreth orës 8:00 në kalatën 4 të portit më të madh të vendit. Në Durrës nesër do të mbërrijnë 58 turistë, shumica e të cilëve nga SHBA dhe Britania e Madhe, ndërsa nuk mungojnë edhe turistë nga Kanadaja dhe Ekuadori. Velieri luksoz ka një personel prej 58 vetësh.

Autoriteti Portual ka marrë masat për krijimin e kushteve normale gjatë qëndrimit 10-orësh të velierit në port. Deri në muajin shtator, velieri do të ankorohet edhe tri herë të tjera në Durrës.

Nga të dhënat e agjencisë pritëse, velieri vjen në Durrës pas ndalesave në Sarandë dhe në Porto Palermo (Shqipëri) dhe rreth orës 18:00 të ditës së martë do të lundrojë drejt Malit të Zi. Lundrimi i këtij turi ka nisur në ishujt e Greqisë dhe do të përfundojë në ato të Kroacisë-informuan burimet e agjencisë pritëse.

Deri në fund të këtij sezoni, në portin e Durrësit priten edhe 8 kroçera dhe velierë turistikë.