Të hënën paradite në portin e Durrësit pritet të mbërrijë kroçera e parë e këtij sezoni turistik. Anija turistike “La Belle de L’Adriatique” vjen për herë të parë në portin e Durrësit.

Ajo do të lundrojë nga Vlora drejt Durrësit natën e së djelës dhe pritet të ankorohet në kalatën 5 të hënën rreth orës 7.00. Kroçera ka një gjatësi prej 110 metrash dhe është e regjistruar në një nga portet e Belgjikës. Anija me moshë 10-vjeçare do të lundrojë rreth orës 20.00 të mbrëmjes drejt portit të Bar (Tivarit) në Malin e Zi.

Kjo është kroçera e parë e vitit, ndërsa mësohet se anijet e fundit priten të jenë “Serenissima” dhe “Ocean Majesty”, që do të mbërrijnë në të njejtën ditë, më 13 tetor të vitit të ardhshëm.

Gjatë vitit 2016 në portin e Durrësit janë ankoruar 24 kroçera dhe anije veliere, me një numër të përgjithshëm prej 14.084 turistë. Shumica e turistëve vijnë nga SHBA, Gjermania dhe Britania e Madhe, por nuk mungojnë udhëtarët nga të gjitha kontinentet. Gjatë qëndrimit në vendin tonë turistët vizitojnë qytetet e Durrësit, Krujës, Beratit dhe Tiranës.

Megjithëse Durrësi është një port përpunimi mallrash, vazhdimisht APD ka marrë të gjitha masat për ankorimin e kroçerave në kalatat qendrore 4 dhe 5, si dhe për lehtësimin e lëvizjes së turistëve në hapësirën portuale gjatë qëndrimit prej 10-14 orë në Durrës.