Rritja e ndjeshme e çmimit të naftës redukton qarkullimin e mjeteve në rrugët e Durrësit.

Pamjet filmike të marra sot në mesditë nga operatori i “DurrësLajm”, Sokrat Toçi dëshmojnë numrin mjaft të ulët të automjeteve që lëvizin në qendër të qytetit.

Bulevardi “Epidamn” është thuajse i boshatisur, si asnjëherë tjetër në këtë orë.

Mëngjesin e sotëm, në disa nga pikat e karburantit të qytetit, u vu re një ulje e vogël e çmimit.

Ulja vjen menjëherë pas protestës rreth dy orëshe që u zhvillua pasditen e djeshme në Durrës në shumë nga rrugët dhe kryqëzimet kryesore të qytetit, ku qytetarët masivisht iu përgjigjën pozitivisht thirrjes për fikjen e automjeteve.

Pasditen e së mërkurës, qytetarët në Durrës dhe Tiranë u ngritën në protestë kundër rritjes së çmimeve, duke paralajmëruar protesta të përditshme, ndërkohë që po ditën e djeshme pësoi rënie çmimi i naftës në bursë.  

Pasditen e sotme është paralajmëruar sërish një protestë qytetare në Durrës, e cila do të nisë nga Stacioni i Trenit.