Nga Novruz Zejnati
Sot, më datë 23 korrik 2023, në sipitalin e Peskarës në Itali, në moshën 79-vjecare, ndërroi jetë kolonel Feim Xhebraj.
Cikli i jetës së njeriut është: lindja, jeta, lufta për jetesë dhe në fund është vdekja. Duhet thënë se ndarja fizike me dikë gjithmonë na trishton e pikëllon shumë. Dhe më i madh bëhet ky hidhërim kur i japim lamtumirën e fundit një bashkëshorti, babai, vëllai, miku e shoku me vlera të larta intelektuale dhe morale si kolonel Feim Xhebraj, të cilit, sëmundja e pashërueshme ia bëri të pamundur për një kohë të gjatë një jetesë normale, ashtu sic ai e meritonte. Feim Xhebraj ishte një njeri me jetë të pasur aktive e të vrullshme, oficer zbulues dhe i shumë fushimeve, stërvitjeve të këtyre forcave speciale në ushtri, pjesëmarrës në luftën amerikoano-vietnameze. Ai ishte djalë i një familje të nderuar nga Vranishti i Vlorës që fitoi prej dekadash një reputacion të respektuar në drejtorin e zbulimit të shtabit të përgjithshëm, si komandant i Brigadës së V të këmbësorisë në Gjirokastër dhe si pedagog me shumë reputacion në akademinë ushtarake “Mehmet Shehu”. Kolonel Feimi, me vullnet e këmbëngulje, kreu studimet në shkollën ushtarake “Skënderbej” në moshën 14 vjecare dhe që nga ajo kohë u bë pjesë e ushtrisë. Pas mbarimit të kësaj shkolle vazhdoi shkollën e bashkuar të oficerëve “Enver Hoxha”, ku pas mbarimit të saj, diplomohet oficer gjitharmësh. Shërbeu në ushtri si oficer zbulimi dhe më vonë dërgohet në akademinë ushtarake “Mehmet Shehu”. Në 6-mujorin e parë të vitit 1966, së bashku me një grup oficerësh zbulimi të ushtrisë shqiptare, shkon në Vietnam për të marrë eksperiencë në luftën që po zhvillohej në atë vend. Në këtë mision qëndroi për afro 6 muaj. I bindur se detyra e oficerit kërkon arsimim, shëmbull personal, korrektësi, takt pedagogjik dhe drejtësi, ai ishte kërkues edhe për të përfituar dije të reja e bashkëkohore në përputhje me zhvillimin shkencor e kulturor. Nuk iu nda asnjëherë leximit të librave, kryesisht atyre me karakter shkencor që kishin lidhje me mbrojtjen dhe ushtrinë. Kudo që punoi, ai u bë promotor i organizimit të veprimtarive të ndryshme mbresëlënëse, ku i bëhej jehonë edukimit të oficerëve të rinj dhe nxitjes së tyre për të trajtuar librin artistik dhe ushtarak, ashtu sic porosiste atdhetari erudit Sami Frashëri, pra si shokun më të mirë.
Në procesin mësimor, kolonel Feim Xhebraj vinte gjithë aftësitë, energjitë dhe pasionin e tij. Studentët, ushtarët e oficerët, me të cilët kishte lidhje, e donin shumë, jo vetëm sepse ai sillej me ata tamam si një shok, por edhe sepse ai dinte të ishte një psikolog duke bërë me këdo punë të diferencuar, i sinqertë dhe miqësor. Ai mbeti përherë gojëëmbël edhe në marrëdhëniet me kolegët pedagogë të akademisë. Ai ishte pedagogu zemërmirë dhe me humor të mrekullueshëm. Gruaja e tij e mrekullueshme, Mira, i ka shërbyer me devotshmëri, së bashku me fëmijët e tij. Shokët dhe të afërmit do ta kujtojnë me mall, për humorin e mencur dhe të guximshëm. Ai mbajti një qëndrim dinjitoz, edhe në fillim të proceseve demokratike në vend, ku në përgjithësi, pedagogët dhe studentët e shkollave, me ndonjë ndryshim të vogël, ishin mbështetës të ndryshimeve duke i qëndruar besnikë betimit ushtarak, kombit, flamurit, duke mos u konfrontuar me popullin. Si gjithë personeli pedagogjik i kësaj shkolle, Feimi ka padyshim një pjesë të konsiderushme të meritës për arritjet e saj ndër vite.
Gjatë gjithë jetës së tij, ai ruajti të pastër figurën e pedagogut ushtarak dhe i tillë mbeti edhe në familje, ku së bashku me Mirën, gruan e tij, rritën dhe edukuan tre fëmijë të mrekullueshëm. Ne, shokët e tij, vecanërisht Mikadua, Pirrua, Qaniu, u shprehim me zemër ngushëllimet e sinqerta familjes dhe iu themi të jenë krenarë për babain që e donin dhe i donte shumë.
I paharruar qoftë kujtimi i tij!