Gianni Rivera ka dalë hapur kundër rikthimit të Roberto Mancinit në stolin e Kombëtares së Italisë, duke e cilësuar vendimin e drejtimit të ri të Federatës Italiane të Futbollit si të papranueshëm.Në një intervistë për “Il Fatto Quotidiano”, legjenda e futbollit italian dhe fituesi i Topit të Artë në vitin 1969 nuk i ka kursyer kritikat ndaj zgjedhjes së Federatës. “Të rikthesh Mancinin në stol është një fyerje për tifozët dhe lojtarët”, është shprehur Rivera. Ish-ylli i Milanit thotë se do ta kishte parë ndryshe një rol për Paolo Maldinin në këtë projekt, ndërsa rikthimin e Mancinit e kundërshton hapur. Rivera e lidh këtë qëndrim edhe me largimin e mëparshëm të trajnerit nga Kombëtarja dhe zhvillimet që pasuan.
Por kritikat e Riverës nuk ndalen te pankina e Italisë. Ish-kampioni e ka zgjeruar diskutimin te mënyra se si funksionon sot futbolli botëror, duke vënë në qendër të vëmendjes peshën e parave.“Bota e futbollit, nga Blatter te Infantino, gjithmonë e ka pasur paranë si zot. Për sa kohë që komandon paraja, futbolli nuk do të ndryshojë”, ka deklaruar Rivera. Sipas tij, edhe marrëdhënia mes futbollistëve dhe klubeve ka ndryshuar ndjeshëm. “Lojtarët sot janë kompani dhe bëjnë skuadër me të tjerët vetëm në fushë”, është shprehur ish-numri 10 i Italisë.
Rivera ka folur gjithashtu për raportin e tij me institucionet e futbollit. Ai ka deklaruar se gjatë viteve ka refuzuar oferta të shumta për të bërë reklamë dhe se nuk është tërhequr nga ideja për t’u përfshirë në nivelet e larta të futbollit për arsye ekonomike. “Nuk kam bërë kurrë reklamë për askënd, pavarësisht se propozimet që kam marrë ndër vite kanë qenë të shumta dhe fitimprurëse”, ka treguar ai.
Dhe në fund, Rivera ka shpjeguar edhe mënyrën se si e sheh veten në raport me sistemin: “Jam i parehatshëm, dje si sot, sepse idetë e mia gjithmonë shqetësojnë pushtetin.” Deklarata që rikthejnë në qendër të vëmendjes një nga zërat më kritikë të futbollit italian, pikërisht në një moment kur Kombëtarja dhe drejtimi i ri i FIGC po përballen me një kapitull të ri.





