Partia Demokratike ka përsëritur kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për miratimin e një rezolute për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Sipas PD-së, Kuvendi duhet të ndërmarrë një veprim të koordinuar me autoritetet e Kosovës, me synim ndërgjegjësimin e partnerëve ndërkombëtarë mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kërkesa, së bashku me draft-rezolutën, është firmosur nga 30 deputetë të Partisë Demokratike dhe është dorëzuar zyrtarisht në Kuvend. Ndërkohë, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Politikën e Jashtme, anëtarët e PD-së kanë kërkuar që në seancën plenare të nesërme Kuvendi të mbajë një qëndrim zyrtar dhe të përbashkët lidhur me vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale për Kosovën ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Sipas demokratëve, qëndrimi duhet të jetë i përbashkët nga të gjitha grupet parlamentare. Palët politike janë angazhuar për të vijuar punën me synim hartimin e një qëndrimi të unifikuar të Kuvendit.