Më 23 qershor 2025, ora 23:30, Greqia lëshoi në hapësirë satelitin e parë CubeSat, që shërben në kuadër të Programit Kombëtar të Mikrosatelitëve, mbështetur nga Agjencia Hapësinore Evropiane.

Lëshimi i raketës greke, u bë nga baza ajrore “Vandenberg” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një raketë Falcon-9, pjesë kjo e misionit Transporter-14 të SpaceX.

Sateliti, i quajtur DUTHSat-2, është projektuar dhe ndërtuar nga një ekip shkencor i Universitetit Democritus të Trakisë, në bashkëpunim me një kompani private greke, raporton media “Protothema”.

DUTHSat-2, udhëtoi për rreth një orë me raketën Falcon-9 së bashku me satelitë të tjerë dhe u lëshua në orbitë në një lartësi prej 510 km mbi nivelin e detit. Kjo pasohet nga një proces i plotë vendosjeje në orbitë dhe fillimi i funksionimit operativ. Brenda të paktën 6 muajve të komunikimit të suksesshëm me satelitin dhe fillimit të funksionimit të tij, DUTHSat-2 do të kryejë konfirmimin në orbitë të pajisjeve të reja eksperimentale të vëzhgimit të Tokës, pra kamera optike, dhe atyre të sistemeve të telekomunikacionit.

Qëllimi i këtij projekti është të forcojë aftësitë e shtetit grek në fushën e vëzhgimit të Tokës dhe komunikimit të sigurt hapësinor.

Më konkretisht, DUTHSat-2 do të ofrojë imazhe dhe matje, të cilat do të përdoren për të dhënë informacion mbi lagështinë e tokës, si dhe mbi ndotjen detare. Përveç kësaj, frekuencat e regjistrimit spektral dhe rezolucioni i kamerave janë zgjedhur në një mënyrë të tillë që të mund të zbulohen si derdhjet e naftës ashtu edhe ndotja nga shkarkimi i ujërave të anijeve.

Në të njëjtën kohë, do të kryhet një demonstrim në fluturim, i një moduli të ri bazë të telemetrisë dhe statusit operacional. Telemetria dhe mirëmbajtja thelbësore (ETM) është versioni hapësinor i “kutisë së zezë”, duke u lejuar operatorëve të kenë një pasqyrë të përgjithshme të statusit të satelitit në rast të një dështimi të nënsistemeve kryesore.