Një letër e panjohur më parë e Papa Françeskut, me këshilla për të rinjtë në prag martese, është publikuar për herë të parë nga gazeta italiane La Repubblica. Në këtë shkrim, Ati i Shenjtë përdor tangon – një nga simbolet kulturore të Argjentinës, vendlindjes së tij – si metaforë për dashurinë dhe martesën.

“Në atdheun tim, në Argjentinë, ekziston një vallëzim që e dua shumë dhe që, kur isha i ri, e kërceja shpesh: tangoja. Është një lojë e lirë midis burrit dhe gruas, plot tërheqje dhe magji erotike,” – shkruan Papa.

Sipas tij, tangoja përfaqëson atë që duhet të jetë marrëdhënia mes partnerëve: “afërsi dhe distancë, sensualitet, vëmendje, respekt për rregullat dhe dinjitetin”. Ai e krahason martesën me një kërcim që kërkon përgatitje, jo thjesht një ceremoni të bukur, duke theksuar se dashuria kërkon përkushtim të vërtetë dhe vazhdimësi.

Papa Françesku shprehet se shumë çifte, për shkak të mungesës së përgatitjes, përballen me ndarje të dhimbshme, plagë emocionale dhe pasoja për fëmijët. “Para misterit të martesës, nevojitet një përgatitje e duhur, si ajo e katekumeneve, sepse e gjithë jeta kalon përmes dashurisë, dhe me dashurinë nuk luhet,” thekson ai.

Në përfundim të letrës, këshilla e tij për çiftet e reja është që të besojnë te fuqia e dashurisë së tyre dhe të mos ndalojnë kurrë “vallëzimin që të çon drejt shpresës – me sy plot habi”.