Lëvizte i armatosur me pistoletë me fishek në fole, të gatshme për qitje, në qytetin e Rrëshenit, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 32-vjeçari.
Në zbatim të planit operacional të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, plan i cili inicioi ditën e djeshme, operacionin policor kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me shërbimet e FNSh Tiranë, kanë ushtruar kontrolle në të gjithë territorin e rrethit dhe si rezultat;
U arrestua në flagrancë shtetasi F. N., 32 vjeç, banues në Rrëshen, pasi u kap duke lëvizur në qytet, i armatosur me armë zjarri pistoletë me fishek në fole, të gatshme për qitje.
Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjëndje të lirë për shtetasit M. Ll., 36 vjeç dhe V. Ll., 41 vjeç, vëllezër, të dy banues në Rrëshen, pasi nga kontrollet në banesa iu janë gjetur një armë sportive dhe një sasi fishekësh që posedoheshin pa leje.
Armët dhe municioni janë sekuestruar nga Policia, në cilësinë e provës materiale.