Ndërmarrja e këtij botimi është dhe një nevojë bashkëkohore për të bërë të mundur një komunikim dhe njohje sa më të plotë të gjendjes aktuale të veprimtarisë kërkimore dhe krijuese në qytetin tonë”,- thonë studiuesit Maloku dhe Minguli në parathënie. Në 200 faqet e këtij fjalori bibliografik gjejnë hapësirë figurat më të evidentuara në fushën e Histori-Arkeologjisë, Letërsisë, Publiçistikës, Artit skenik, Arteve figurative, Muzikës dhe Fotografisë

Në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë është shtuar ndjeshëm numri i botimeve të reja nga autorët  dhe studiuesit  durrsakë, të cilët duan të kontribuojnë sadopak për këtë datë të rëndësishme të historisë së vendit tonë. Në vazhdën e këtyre botimeve, studiuesit Halim Maloku dhe Fatmir Minguli kanë sjellë në duart e lexuesve durrsakë dhe artdashësve një fjalor bibliografik, “Lexikon” që i kushtohet as më pak e as më shumë, por personaliteteve të spikatura kryesisht në fushën e artit, si atyre që tashmë e kanë mbyllur karrierën e tyre artistike ashtu dhe të rinjve që vazhdojnë të kontribuojnë në jetën artistiko-kulturore të qytetit tonë. Pas një pune tre vjeçare, gjatë të cilës kanë hulumtuar dokumenta të shumtë, kanë mbledhur informacion të bollshëm për secilën figurës (të së kaluarës apo të së tashmes), si dhe kanë kataloguar materialet e mbledhura për t’i dhënë formën e nevojshme për botim, ata sollën më në fund një doracak kulturor, në faqet e të cilit kanë gjetur vend rreth 130 figura të shquara të qytetit.

Ashtu siç shprehen vetë autorët në parathënien e këtij fjalori bibliografik ata nuk kanë synuar të vlerësojnë kontributin e dhënë nga njëri personazh apo nga tjetri, që kanë gjetur hapësirë në faqet e kësaj vepre, nuk kanë tentuar të analizojnë këtë krijimtari. Qëllimi i tyre parësor ka qenë pikërisht dokumentimi i veprimtarisë studimore, kulturore e botuese, ndërkohë rolin e kritikut mund ta luajnë mjaft mirë personat e specializuar për këtë punë apo vetë lexuesit dhe artdashësit që mund të njohin nga afër kontributin e këtyre personave. “Ndërmarrja e këtij botimi është dhe një nevojë bashkëkohore për të bërë të mundur një komunikim dhe njohje sa më të plotë të gjendjes aktuale të veprimtarisë kërkimore dhe krijuese në qytetin tonë”,- thonë studiuesit Maloku dhe Minguli në parathënie. Në këtë doracak kulturor, që ndoshta nuk do të jetë i vetmi, autorët i kanë ndarë personalitetet sipas kategorive ku ata kanë dhënë më  tepër kontribut gjatë karrierës së tyre. Kështu në 200 faqet e këtij fjalori bibliografik gjejnë hapësirë figurat më të evidentuara në fushën e Histori-Arkeologjisë, Letërsisë, Publiçistikës, Artit skenik, Arteve figurative, Muzikës dhe Fotografisë.

Si lindi “Lexikon”?

Rreth tre vjet më parë dy studiuesit durrsakë arritën në konkluzionin se një qytet i lashtë si Durrësi, me një histori rreth tremijë vjeçare dhe me shumë personalitete të spikatura në fusha të ndryshme kishte nevojë për një fjalor bibliografik, ku nxënësit, studentët, mësuesit, institucionet vendore e pse jo dhe të huajt të kishin një  njohuri më të plotë mbi veprimtarinë e krijuesve të qytetit, të atyre që me kontributin e tyre, shpeshherë dhe modest, kanë lënë gjurmë në zhvillimin dhe jetën kulturore të qytetit. E kështu nisi puna për “Lexikon”, megjithëse në fillim Minguli e Maloku nuk e kishin ende të qartë strukturën e kësaj vepre. E ndoshta kjo ka qenë një nga vështirësitë e fillimit. “Në botë, por edhe në vendin tonë ekzistojnë fjalorë, enciklopedi, katalogje dhe forma të tjera të cilat evidentojnë jetën artistiko-kulturore të një qyteti. Pasi u konsultuam me disa prej tyre gjetëm një formë që na u duk optimale për të ilustruar formën me të cilën ne kërkonim ta realizonim “Lexikon”.

Zgjodhëm këtë titull, duke përdorur një fjalë greke që përkthehet për të lexuar, pasi dhe ky fjalor këtë qëllim ka, të lexohet”,- thotë studiuesi Fatmir Minguli. Në të njëjtën kohë ai bën të ditur për “Dyrrah” se puna e tyre është bazuar tek ata personalitete që kanë lënë pas vepra të shkruara, të dokumentuara. Duke mos dashur të nënvlerësojnë aspak kontributin e aktorëve të teatrit dhe estradës së qytetit, piktorëve të ndryshëm apo sportistëve të shquar që ka nxjerrë Durrësi, Minguli thekson se në këtë doracak kanë gjetur më tepër hapësirë krijuesit dhe figurat, krijimtaria e të cilëve dokumentohet më së  shumti përmes vëllimeve të ndryshme letrare, publiçistike, historike etj, apo e piktorëve dhe skulptorëve që kanë hapur ekspozita personale. Një vështirësi tjetër me të cilën janë përballur studiuesit gjatë punës së tyre ka qenë mbledhja e të dhënave, pasi siç nënvizon Minguli duhet të gjendeshin personat dhe dokumentacioni përkatës për ta, duheshin zbardhur etapat më të rëndësishme të karrierës dhe në disa raste duhej të gjendeshin ura bashkëpunimi me personat që shfaqeshin skeptik ndaj kësaj ideje apo mbledhjes së informacionit. “Në këtë fjalor ne kemi përfshirë deri adresat e shtëpisë, numrin e telefonit e në disa raste edhe adresat e e-mailit, duke i krijuar mundësi çdo personi që vjen në Durrës të krijojë në mendjen e tij një tablo të plotë të kontributit të dhënë nga personalitete të qytetit në fusha të ndryshme të artit”,- thotë Minguli.

Dëshirë për të njohur veten dhe të tjerët

“Durrësi ka një histori shumë antike dhe në periudha të ndryshme ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e qytetërimit në pellgun e Mesdheut,- thotë studiuesi Halim Maloku,- gjë që dokumentohet në dëshmi të shumë historianëve të kohëve antike e atyre të mesjetës dhe unë jam i mendimit se dhe zhvillimi aktual i Durrësit është në vazhdën e kësaj tradite shumë shekullore. Puna për hartimin e “Lexikon” na bindi edhe më tepër se në Durrës ka një numër të madh intelektualësh që kanë kontribuuar në forma të ndryshme për të ruajtur dimensionin që qyteti ynë ka trashëguar nga shekujt”. Në faqet e këtij katalogu informativ kanë gjetur vend rreth 150 artistë, krijues dhe institucione të artit dhe kulturës në Durrës. Në parathënien e këtij doracaku kulturor shkrimtari dhe përkthyesi Gjergj Vlashi shprehet: “Në faqet e këtij libri parakalojnë shumë emra të krijuesve durrsakë të vjetër e të rinj, djem e vajza, të cilët kanë krijuar vepra të ndryshme….. Kjo ndërthurje emrash dhe moshash është një nga anët më interesante të këtij doracaku për të njohur artistët e Durrësit”. Kështu pra së bashku, krijues të vjetër e të rinj, vijnë në këtë prezantim të shkurtër të krijimtarisë së tyre, e cila ku më pak e ku më shumë ka lënë dhe do të vazhdojë të lërë gjurmë në historinë e qytetit. “Jeta në ditët e sotme është një ballafaqim i vazhdueshëm me veten dhe me të tjerët për të vlerësuar atë që ke arritur e që do të arrish në të ardhmen për këtë arsye është e nevojshme që këto vlera, këto kontribute të njihen e të vlerësohen, pasi ato janë edhe dëshmi e nivelit cilësor të intelektualëve që u rritën e u formuan në Durrës”,- thotë Maloku. Dy hartuesit e këtij fjalori bibliografik thonë se mbeten të hapur për çdo lloj sugjerimi apo vërejtjeje që mund t’i bëhet nga rrethi i artistëve dhe krijuesve të qytetit apo dhe nga lexuesit e thjeshtë, pasi gjithnjë mund të ketë vend për rregullime  apo pasurime të mëtejshme.  Ata pranojnë se ky doracak nuk është i fundit, por mund të pasohet nga të tjerë, të cilët mund të zgjerojnë edhe më shumë sferën e kontributeve që figura të ndryshme kanë dhënë e vazhdojnë të japin për Durrësin.

Një udhëtim në histori

  Ciceroni, Pal Engjëlli, Nikollë Leonik Tomeu, Marin Barleti etj. bashkëjetojnë në  këtë doracak së bashku me figura më të vona si Vangjel Toçi, Vinçenc Prendushi, Hysen Myshketa, Alfons Dovava, Pertef Kruja, Danish Bebeziqi, Nikolet Vasia, por dhe me më të rinj si Bashkim Hoxha, Sali e Hava Hidri, Moikom Zeqo, Vasillaq Papaj, Haxhi Rama etj. duke krijuar kështu një kolazh vlerash me të cilët qyteti krenohet. Këto janë vetëm disa nga emrat e përfshirë në këtë botim, i cili i hap rrugë veprave të ngjashme në këtë fushë. Si një tentativë e parë ajo vlen të përgëzohet sepse sjell para lexuesve një koncentrat të krijimtarisë shumë vjeçare të krijuesve të qytetit bregdetar e në të njëjtën kohë të kontributit të dhënë nga secili në veçanti për jetën artistiko-kulturore të Durrësit antik e atij të ditëve tona.



 

“Albania” e Faik Konicës

Një nga projektet të cilit i ka kushtuar një vëmendje të posaçme studiuesi Maloku është botimi i revistës “Albania”, periodikut të botuar nga Faik Konica në vitet 1897-1909. Sipas studiuesit Maloku një sipërmarrje e tillë është mjaft e vështirë, sepse revista aq shumë e njohur në rrethin e intelektualëve shqiptarë të atyre viteve, po vjen në të njëjtën formë siç botohej atëherë kur Konica, vetëm 21 vjeçar, nisi shtypjen e saj. Gjetja e kopjeve të padëmtuara përbën një kalvar më vete për studiuesin Maloku, i cili gjithsesi është i bindur se me këtë botim po plotësohet një mangësi që studiuesit dhe lexuesit kishin për publiçistikën e atdhetarit shqiptar. Revista “Albania”, ishte ndër revistat më të mira shqiptare, që u botua deri më 1909 në Bruksel e Londër, me ndihmën e Austro-Hungarisë, e cila nxiste lëvizjen kombëtare shqiptare për të penguar shtrirjen e sllavëve në Ballkan. Deri tani studiuesi Maloku ka botuar tre vëllimet e para të kësaj reviste, ndërkohë që janë në proçes edhe vëllimi i IV dhe i V.