17korrik 2015– Eshtë përuruar sot në terminalin e trageteve në portin e Durrësit linja e re Durrës – Bari me tragetin “Rhapsody”. Kjo linjë i përket kompanisë italiane Grandi Navi Veloci, një ndër kompanitë më të rëndësishme italiane në fushën e transportit detar të detit Mesdhe. Në përurimin e kësaj linje të re transporti detar, veç drejtuesve më të lartë te kësaj kompanie, të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, ambasadori italian në Tiranë Masimo Gajani, zv/ministri i transporteve Ylli Manjani si dhe shume të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij kryeministri Rama ndër të tjera e vlerësoi ardhjen e kësaj kompanie si një hap pozitiv në fushën e transportit detar të pasagjerëve mes dy vendeve, çka do të sjellë jo vetëm një standard të ri në këtë fushë, por do të shërbejë edhe si një shtysë e fortë në rritjen e mëtejshme të cilësisë së shërbimeve edhe nga kompanitë e tjera që operojnë në transportin detar. Jemi në përpjekje për të shfrytëzuar maksimalisht të gjitha kapacitetet që kemi për të rritur standartet e shërbimeve edhe në transportin detar.

Linja e re Durrës – Bari me tragetin “Rhapsody” nis aktivitetin më 31 korrik me lundrime të përditëshme. Tragetet G.N.V disponojnë teknologji të lartë të avancuar dhe ofrojnë kushte mjaft komode dhe një gamë të gjerë shërbimesh për pasagjerët, me bar dhe restorant luksoz, një minikinema për fëmijët e vegjël e deri tek interneti, ku në të gjithë zonën e tragetit çdokush mund të aksesojë në shërbimin Wi- Fi me pagese. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/