Të gjesh një vend parkimi publik në Durrës është fat i madh.
Sigurimi i këtij vendi nga institucionet, nga ana tjetër, është një sfidë edhe më e madhe.
Foto që shihni më sipër është bërë këtë të enjte në rrugën pranë ujësjellësit, 2 ditë pasi policia bashkiake “pastroi” zonën nga mjetet që qytetarët i kishin vënë për të siguruar për vete një vend parkimi.
Ndërkohë, mësohet se biznesi i cili kishte vënë sërish gomat me beton pas heqjes nga Policia Bashkiake, është gjobitur me masë administrative nga kjo e fundit.

”Vazhdojmë punën për të liruar hapësirat publike të zëna padrejtësisht. Jemi duke hequr çdo mjet që pengon përdorimin e hapësirave të përbashkëta si goma, blloqe betoni, vazo lulesh apo sende të tjera”, shkruante një ditë më parë në rrjetin social “Facebook” kryebashkiakja Emiriana Sako.
Pavarësisht punës së bërë në terren, duket se mbështetja dhe mirëkuptimi nga ana e qytetarëve nuk janë më optimalet, pasi siç po duket, secili në fund “ruan parkingun e vet”.