Hyjnë në fuqi 2 vendimet e qeverisë Rama, që lidhen me shpronësimet e familjeve durrsake që preken nga projektet “RIJETËZIMI I SITEVE DHE I MONUMENTEVE TË TRASHËGIMISË KULTURORE TË PREKURA NGA TËRMETI NË SHQIPËRI, BRENDA KUFIRIT TË ZONËS ARKEOLOGJIKE “B”, TË QYTETIT TË DURRËSIT” dhe “RESTAURIMI DHE RIKUALIFIKIMI URBAN I ZONËS PERSPEKTIVE TID, ME VENDNDODHJE NË PARKUN ARKEOLOGJIK DURRËS”.

Në fletoren zyrtare janë publikuar vendimet nr. 106 dhe 107, dt 01.03.2023, me listat me familjet e Durrësit që do të shpronësohen, si dhe vlerat monetare respektive të pronave të tyre.

Për shpronësimet që do të kryhen për t’i hapur rrugë projektit të parë, qeveria shqiptare do të shpenzojë 28.892.636 lekë, që do të përballohen nga fondet e Ministrisë së Kulturës, ndërsa për projektin e dytë shuma e vënë në dispozicion është 89.163.005 lekë.

Me botimin e vlerës së shpronësimit në Fletoren Zyrtare, procesi parashikohet të përfundojë brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit.

“Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data  e  miratimit të këtij  vendimi,  nis  procedurat për  hedhjen  e  gjurmës  së  projektit  mbi  hartën kadastrale,  sipas  planimetrisë  së  shpronësimit  të miratuar dhe regjistron kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në  favor  të  shtetit,  në përgjegjësi   administrimi   të   Qendrës   Muzeore Durrës, Ministria e Kulturës, sipas këtij vendimi”,- shkruhet ndër të tjera në vendimin përkatës nr.106, dt 01.03.2023.

“Pronarët  e  pasurive  të  paluajtshme,  pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin  justifikues  për  likuidim  pranë Ministrisë së Kulturës”,- thuhet më tej në vendim.

“DurrësLajm” po publikon në fund të shkrimit Fletoren Zyrtare, ku të interesuarit mund të gjejnë listat respektive të familjeve që do të shpronësohen, si dhe vlerat përkatëse të kompensimit.

Botimi i dy vendimeve në Fletoren Zyrtare është hapi i radhës që ndërmerr qeveria Rama për të nisur dy projektet për rijetësimin e trashëgimisë kulturore të Durrësit, zbulimin e plotë të amfiteatrit antik dhe krijimin e parkut arkeologjik të qytetit.

Në ditët në vijim pritet të mësohet reagimi i familjeve që preken nga shpronësimet, pasi muaj më parë shumë prej tyre deklaronin se nuk ishin dakort me vlerat e shpronësimeve dhe mund t’i drejtoheshin gjykatës për të kërkuar të drejtën e tyre.

Nga zbatimi i këtyre projekteve në zonën arkeologjike A dhe B të qytetit pritet të restaurohen rreth 200 godina në qendër të Durrësit.

M.B.