Prej më shumë se 5 vitesh, 6 familje të rrugës “Vala e Detit” pranë sitit të ri të Spitallës presin të sistemohen në apartamentet e premtuara pas prishjes së banesave të tyre për ndërtimin e pallateve për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Mes tyre është edhe Aleksandër Toca, i cili thotë se ka përfituar vetëm 6 muaj bonus qiraje, ndërkohë që para shembjes së banesës ka patur nje shtëpi rreth 110 metra katrorë.
Pas viteve të jetesës me qira, prej 8 muajsh ai nuk ka mundur më të përballojë pagesat dhe është detyruar të largohet nga banesa ku jetonte me familjen.
Në mungesë të një zgjidhjeje, Toca kishte ngritur një barake në truallin ku më parë ndodhej shtëpia e tij, e prishur për t’i hapur rrugë projektit të rindërtimit. Paraditen e sotme, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) ndërhyri për prishjen e kësaj strehe.
I revoltuar nga situata, Toca shprehet se familja e tij është lënë në harresë dhe se kushtet në të cilat jeton janë bërë të papërballueshme.
Gjatë prononcimit të tij ai përdori deklarata të forta dhe shqetësuese, duke paralajmëruar se ndihet i shtyrë drejt veprimeve ekstreme ndaj fëmijëve të tij për shkak të mungesës së zgjidhjes për strehimin e familjes.
“Ose të më marrin dhe të më fusin në burg dhe fëmijët e mijë t`i sistemojnë në një vend. Kjo jetë është bërë e padurueshme, jam detyruar të pres fëmijët në qafë deri këtu po shkon”, tha Toca.
Burime nga bashkia bëjnë të ditur se pritet dalja e VKM-së për shpronësimin e familjeve, banesat e të cilave u prishën për t’i hapur rrugë ndërtimit të insfrastrukturës rrugore të sitit të ri të Spitallës, për t’i hapur dritën jeshile sistemimit të familjes Toca në një nga apartamentet e ndërtuara për të pastrehët e tërmetit.





