“U çova i alarmuar!” Kështu e nis rrëfimin e tij pronari i një restoranti në zonën e Currilave, biznesi i të cilit ka pësuar dëme nga rrëshqitja e kodrës në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Eqerem Ballgjini thotë se është dëgjuar një zhurmë e tmerrshme dhe të gjithë banorët e pallatit, por edhe njerëzit që ndodheshin në një hotel aty pranë kanë dalë jashtë të alarmuar.
Ai e ka me qira restorantin ku ushtron aktivitetin dhe dëmi material është i konsiderueshëm.
“Kemi pasur një dhomë frigoriferike që ka ppasur mbi -6 mijë euro mall brenda, karkaleca, aragosta etj. Ato kanë marrë fund. Dhoma frigoriferike ka marrë fund, frigoriferët e tjerë i patë vetë si i ka spostuar kodra.”,- thotë ai.
Megjithëse janë ankuar për vite me radhë pranë autoriteteve shtetërore, në terren nuk është bërë asnjë ndërhyrje për të evituar regjistrimin e një situate si kjo e sotmja.
“Kemi vite që ankohemi, nga Ministria e Mjedisit, tek bashkia. Do vijmë, do e shohim, do e bëjmë, nuk çajnë kokë”- thotë Ballgjini.
Sipas tij, në vendngjarje kanë qenë vetëm efektivët e Policisë Bashkiake dhe zjarrfikësit, të cilët janë siguruar që asnjë person të mos qëndronte brenda pallatit dhe janë përkujdesur për evakuimin e banorëve.
Lidhur me situatën e krijuar nga rrëshqitja e dherave, Ballgjini nuk shpreson në ndonjë zgjidhje konkrete..
“Policia dhe zjarrfikësit kanë qenë gjithë natën këtu. Unë mendoj se kjo s’ka zgjidhje. shifeni ku është hap atje në kodër. gjithë ajo kodër që është hapur atje, ai dhe do bjerë poshtë se s’bën”,– thotë ai.
M.B.





