Për të realizuar një proces sa më të rregullt të qarkullimit të njerëzve dhe mjeteve, mënyra e hyrjes dhe e daljes në portin e Durrësit për personat e pajisur me leje janë përcaktuar:
1. Leje e përkohshme (ditore), të cilat u lëshohen përdoruesve të rastësishëm të portit që paraqesin një motiv të arsyeshëm pune, për hyrjen në territorin e portit si dhe grupeve të personave ose dhe një personi të vetëm që motivon vizitën në port.
2. Leje vjetore, të cilat u lëshohen përdoruesve të portit që ushtrojnë një aktivitet të përhershëm në territorin e portit;
Lejet e përkohshme (ditore)
1. Lejet e përkohshme (ditore) u lëshohen përdoruesve të rastësishëm të portit që paraqesin:
a) një motiv të arsyeshëm pune për hyrjen në territorin e portit;
b) arsyen e kontaktit me institucionet shtetërore që ushtrojnë aktivitetin brenda territorit të portit;
c) personit apo grupeve të organizuar të personave që motivojnë vizitën e tyre në port.
2. Lejet përkohshme (ditore) duhet të shoqërohen me faturë/skontrino.
3. Për lëshimin e lejes përkohshme (ditore), personat duhet të aplikojnë nëpërmjet formularit model DA- SPMM- 05.
4. Leja përkohshme (ditore) miratohet vetëm në rastet kur personi i interesuar lë pranë zyrës së lejeve një nga dokumentat e identifikimit.
a) Pasaportë
b) Kartë identiteti
c) Dokument identifikimi zyrtar me foto (i lëshuar nga institucionet shtetërore)
Dokumenti i identifikimit i lënë pranë zyrës së lejeve ose zyrës së rojeve të sigurisë i kthehet vizitorit vetëm pasi ai të ketë dorëzuar lejen e përkohshme (ditore).
5. Kamionët të futen në territorin e APD-së nga hyrja nr.4, në bazë të listës që dorëzon agjencia spedicionere pranë FSPD-së, pas lidhjes së kontratës dhe dorëzimit të dokumentit siç është parashikuar në pikën 4 të këtij neni.
6. Lejet ditore për këmbësorë dhe autovetura mund t'u lëshohen aplikuesve të përmendur në këtë nen, vetëm për territorin jashtë zonave së sigurisë.
7. Zyrat e lejeve të portave 1, 3 dhe 4 plotësojnë në mënyrë elektronike formularët e aplikimit nga ora 07.00 deri në orën 22.00 si dhe pajisin me leje ditore aplikuesit.
8. Në rast të dëmtimit/humbjes/moskthimit të kartës personi detyrohet të paguajë koston e kartës dixhitale të nxjerrë nga Sektori përkatës referuar Kontratës “Implementimi i Port Security sipas standardid ISPS” .
Lejet vjetore
1. Lejet vjetore u lëshohen përdoruesve shtetëror dhe privat të portit që ushtrojnë aktivitet të përhershëm.
2. Për marrjen e lejes vjetore çdo kërkues është i detyruar të aplikojë nëpërmjet formularit të aplikimit model DA- SPMM- 02 dhe të dorëzojë dokumentacionin e mëposhtëm:
• Kopje e dokumentit të identifikimit
• Dy foto 4×6 cm
• Vërtetim i lëshuar nga firma ku të specifikohet që ju jeni i punësuar dhe zonën në të cilën ju duhet të operoni shoqëruar me Vërtetimin e Sigurimeve Shoqërore.
• Kopje të lejes së drejtimit (patentës) (vetëm në rastet kur aplikohet për leje automjeti)
• Kopje e lejes së qarkullimit (vetëm në rastet kur aplikohet për leje automjeti)
• Kopje të dokumentit të kontrollit teknik (vetëm në rastet kur aplikohet për leje automjeti)
• Kopje të lejes së transportit (vetëm në rastet kur aplikohet për leje automjeti, kamionë, autotren, gjysmërimorkiator, autobus)
• Kopje të çertifikatës së tranportit (vetëm në rastet kur aplikohet për leje automjeti, kamionë, autotren, gjysmërimorkiator, autobus).
3. Çdo subjekt punëdhënës (titullari i institucionit shtetëror apo administratori i subjektit privat) është i detyruar të aplikojë nëpërmjet formularit të aplikimit model DA – SPMM – 02/1 për të punësuarit e tij që kërkojnë të rinovojnë lejen vjetore (përfshirë këtu edhe titullarin apo administratorin).
Aplikimi sipas kësaj pike është i vlefshëm në rastet kur nuk ka asnjë ndryshim të dokumentacionit të paraqitur në aplikimin pararendës. Në të kundërt, për këta persona aplikimi i nënshtrohet formularit model DA- SPMM-02.
4. Në varësi të kërkesës së vetë subjektit, Lejet vjetore mund të lëshohen:
a. Vetëm për personat;
b. Për personat dhe automjetet e tyre (një karton);
c. Vetëm për mjetet e ngarkesës
5. Përdoruesit shtetëror dhe privat të portit duhet të aplikojnë për leje vjetore të hyrjes në zonën portuale në të cilin ato ushtrojnë aktivitetin e tyre.
6. Zonat portuale janë të ndara sipas planit të sigurisë së portit.
7. Në rast të aplikimit për leje vetëm për personin, aplikuesi duhet të vendosë shenjën përkatëse tek kuadrati “Leje Personale” i formularit.
8. Në rast aplikimi për leje personale dhe për leje automjeti, aplikuesi duhet të vendosë shenjën përkatëse në kuadratin “Leje personale” dhe në kuadratin “Leje automjeti” të formularit.
9. Lejet vjetore do të aktivizohen në përputhje me aplikimin e subjektit sipas zonave portuale të përcaktuara në planin e sigurisë së portit dhe të miratuara nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD-së.
10. Lejet vjetore për autovetura u lëshohen aplikuesve të përmendur në këtë nen, vetëm për territorin jashtë zonave së sigurisë.
11. FSPD, në përmbushje të detyrimeve të saj, do të mbajë kontakte me autoritetet përkatëse për marrjen e informacionit mbi personat e autorizuar për të hyrë në zonat e sigurisë të ndodhura nën mbikqyrjen e këtyre autoriteteve.
Aplikimi për marrjen e lejes vjetore për hyrjen në port
1. Për marrjen e lejes vjetore për hyrjen në port, përdoruesit e portit duhet të aplikojnë sipas formularëve model DA- SPMM- 02/ dhe DA- SPMM- 02/1
2. Formularët mund të tërhiqen pranë zyrës së lejeve, pranë zyrave të rojës së sigurisë, në portat hyrëse në port ose në adresën www.apdurres.com.al
3. Aplikuesit, gjatë plotësimit të formularit, duhet të ndjekin me saktësi të gjitha udhëzimet e përcaktuara.
4. Formularët e aplikimit dhe dokumentacioni i kërkuar, pas konfirmimit nga titullari i institucionit shtetëror ose administratori i subjektit privat, dorëzohen pranë zyrës së lejeve.