Lodhja e pranverës është një shqetësim i zakonshëm për shumë njerëz gjatë ndërrimit të stinëve.
Edhe pse nuk konsiderohet një sëmundje e mirëfilltë, ajo mund të ndikojë në përditshmëri dhe të vështirësojë kryerjen e aktiviteteve të zakonshme.
Kjo gjendje lidhet kryesisht me ndryshimet e temperaturave dhe ritmit biologjik.
Organizmi ka nevojë për kohë që të përshtatet me ditët më të gjata dhe me ndryshimet klimatike. Personat që reagojnë më shumë ndaj motit, shpesh e ndjejnë më fort këtë periudhë.
Simptomat janë të ndryshme. Shfaqen lodhje e vazhdueshme, mungesë energjie, luhatje humori, nervozizëm dhe probleme me gjumin.
Në disa raste ndikon edhe në oreks dhe në mënyrën e ushqyerjes. Kjo gjendje mund të rëndohet te personat që janë nën stres, kanë organizëm më të dobët ose vuajnë nga alergjitë sezonale dhe mungesat e vitaminave.
Për ta përballuar këtë periudhë, rekomandohen disa masa të thjeshta.
Një regjim i rregullt gjumi, ushqyerje e balancuar dhe aktivitet fizik i moderuar mund të ndihmojnë organizmin të përshtatet më shpejt. Disa zgjedhin edhe suplemente ushqimore si vitamina dhe minerale, apo produkte natyrale si xhensen apo mjaltë.
Megjithatë, përdorimi i suplementeve duhet bërë me kujdes dhe me këshillën e mjekut, pasi mund të ketë efekte anësore. Në shumicën e rasteve, lodhja e pranverës kalon gradualisht sapo trupi përshtatet me ndryshimet e stinës.





