25 dhjetor 2014 – E ardhmja e Lorik Canës nuk do të jetë te Lazio. Ai që e zbulon një fakt të tillë është babai dhe menaxheri i kapitenit të kombëtares shqiptare Agim Cana. Ky i fundit në një intervistë për portalin "Lalaziosiamonoi.it" ka theksuar se aktualisht Loriku ndihet mirë te klubi bardhekaltër kjo edhe për faktin se Cana po aktivizohet në vazhdimësi nga trajneri Pioli, megjithatë babai i Lorikut nuk përjashton mundësinë që sezonin e ardhshëm djali i tij të luajë në një tjetër kampionat. Kontrata aktuale e Canës me Lazion skadon në verën e vitit 2016 por 31-vjecari shqiptar mund të largohet nga kryeqyteti italian në merkaton e verës së ardhshme.
Në intervistën e tij Agim Cana u shpreh se Lorikut do ti bënte mirë një ndryshim ambienti. Sipas të gjitha gjasave nëse qëndërmbrojtësi i përfaqësueses kuqezi vendos të largohet nga Lazio e ardhmja e tij do të jetë në Bundesligë. Deri tani në karrierë Lorik Cana ka provuar në të luajë në 4 kampionate të ndryshme fillimisht në Francë me Paris Saint Germain dhe Marseille më pas u transferua në Premier League te Sunderlandi, ndërkohë që karrierë e tij vijoi me një eksperiencë në Turqi te Galatasaray për të mbrritur aty ku ndodhet edhe sot te Lazio në Serinë A italiane.
Për portalin "Lalaziosiamonoi.it" Agim Cana deklaroi se ai do ta shihte shumë mirë djalin e tij në një kampionat si Bundesliga me futbollistin e kombëtares kuqezi që mund të luante pa më të voglin problem edhe për 3 apo 4 sezone në futbollin gjerman.
Në të shkuarën për Canën kanë shfaqur interes dy klube nga vendi teuton si Hamburgu dhe Shtutgarti. Babai dhe menaxheri i mbrojtësit të skuadrës bardhekaltër, konfirmoi gjithashtu se ka një akord mes tij dhe drejtorit sportiv të Lazios Igli Tare se nëse vjen një ofertë nga Gjermania për Lorikun, klubi kryeqytetas do ta lejojë atë të largohet.





