Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e djeshme në Shkodër, ku 49-vjeçari Agron Mehmeti qëlloi me armë zjarri në drejtim të fëmijëve.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00, në qendër të qytetit të Shkodrës, kur lulishtja dhe pedonalja ishin plot me njerëz.

Sherri ka nisur pasi djali i 49-vjeçarit, rreth 13 vjeç, është konfliktuar me një fëmijë tjetër dhe menjëherë në vendngjarje ka shkuar babai i tij, i cili ka qëlluar me pistoletë. Plumbi ka përfunduar në një prej lokaleve aty afër, por fatmirësisht nuk ka kapur asnjë person.

Ndërkohë, autori ka qëlluar njërin prej fëmijëve me qytën e pistoletës dhe më pas është larguar me biçikletë në drejtim të paditur. 49-vjeçari është vetëdorëzuar ditën e sotme në polici, ku dhe është arrestuar.