Terminali i Trageteve në Portin e Durrësit që prej 10 marsit 2020 shfrytëzohet vetëm për transportin e mallrave nga vendi ynë drejt Italisë (anasjellas). Linjat kanë aplikuar lundrime të reduktura dhe vetëm mbrëmjen e së dielës nga porti i Durrësit janë nisur tre tragete me kamionë dhe trailerë drejt porteve të Barit dhe Ankonës.
Pas më shumë se dy muajsh nga rënia e ndjeshme e numrit të lundrimeve për shkak të masave të rrepta anti-Covid-19, kjo është dita e parë me tre tragete në linjat kryesore të transportit detar, mësohet nga Qendra e Informacionit në APD.
Tragetet “Rigel VII” dhe “AF Marina” lundruan mbrëmjen e së dielës drejt Barit, ndërsa trageti “AF Claudia” u nis për në Ankona.
Lundrimi i trageteve do të rikthehet edhe për udhëtarët, pas vendimit të përbashkët mes dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Italisë.
Gjatë periudhës 1 – 17 maj tragetet janë shfrytëzuar nga 3,103 automjete, kamionë dhe trailerë.
Siç vihet re, tragetet janë shfrytëzuar nga drejtuesit e automjeteve, që kanë vijuar udhëtimet në qytetet të ndryshme të Italisë apo të Shqipërisë për të siguruar vijimësinë e furnizimit me produkte dhe mallra të ndryshme.